Në kompozimin e një kuadroje ai sheh shumë elementë: pozicionin si rri personazhi, tiparet e tij, atmosferën përreth, me ato pak elemente që mund të ketë rreth e rrotull.
Personazhet e Roland Karanxhës janë njerëzit më të përbuzur të shoqërisë, janë ata që fati nuk u buzëqesh asnjëherë. Këta janë heronjtë e tij.
“Gazetat shkruajnë përditë për rritje ekonomike. Aty ka përfunduar kjo zonja që shet, kjo zonja që kërkon ndihmë, lemoshë. Janë pjesë e kësaj jete, nuk mund t’i anashkalojmë, nuk mund të mos i pikturojmë. Pastaj, nga këta njerëz ka edhe në vendet e zhvilluara, jo vetëm këtu. Si mund t’i lësh pa trajtuar, pa parë? Janë tipa interesantë”, shpjegon piktori.
Të lënë në harresë nga shoqëria, Karanxha i krahason këta njerëz me ambientin ku atyre u duhet të rrëmojnë çdo ditë për të mbijetuar.
“Nuk është njeriu mbetje, është i lënë pas dore. Por, duke ndenjur pranë plehrave, duke mos e parë, duke mos i kushtuar interes këtyre njerëzve, merr në një farë kuptimi këtë emër”, thekson Karanxha.
Në 69 kuadrot e prezantuara në Muzeun Historik Kombëtar, Karanxha trajton edhe dimrin e qytetit të lindjes, Korçës, që nuk mund të konceptohet pa tisin e borës: “Në përgjithësi kam trajtuar dimrin e qytetit. Më ka pëlqyer dhe më pëlqen. I krijon një pastërti qytetit dhe i bën mirë edhe piktorit për punën, pasi heq pjesët e tepërta, pjesët e panevojshme”.
Dimri i Korçës në telajot e Roland Karanxhës mirëpret vizitorë deri më 30 maj.
Top Channel