Irlanda tha po në referendumin për shfuqizimin e nenit 8 të Kushtetutës që deri tani ua ndalonte grave mundësinë e abortit, përveç rasteve të jashtëzakonshme.
Sipas sondazheve të kryera votat e favorshme do të ishin me 68% pro dhe 32% kundër. Rezultatet zyrtare pritet të dalin gjatë të shtunës.
Referendumi vjen si rezultat i një debati disadekadësh mbi abortin në Irlandë dhe do të shënojë herën e gjashtë në këtë vend që votohet për këtë çështje.
“Amendamenti i Tetë”, i konsideruar kontrovers, është miratuar pas një referendumi të vitit 1983. Ai “njeh të drejtën për të jetuar të të palindurit dhe, duke marrë parasysh edhe të drejtën e barabartë për të jetuar të nënës, garanton në nenet e tij të respektojë dhe, për sa kohë që është e praktikueshme, të mbrojë dhe justifikojë këtë të drejtë”, duke nënkuptuar kështu se jeta e nënës dhe e të palindurit shihen si të barazvlefshme.
Top Channel