Personazhi i radhës në programin “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e sotme ishte Ertisa, një nënë e cila kishte humbur djalin e saj kur ishte foshnje.
Historia kishte nisur kur Ertisa ishte njohur me Edionin në një bar. Ata kishin rënë në dashuri me njëri-tjetrin dhe me kalimin e kohës ishin lidhur. Një lidhje e cila më vonë u kthye në martesë. Por në momentin kur Ertisa kishte lindur djali kishte pasur probleme shëndetësore.
Pas disa javësh fëmija nuk ia kishte dalë të jetonte dhe kishte ndërruar jetë. Ertisa e kishte përjetuar shumë keq. Ishte pikërisht Edioni ai që i kishte qëndruar pranë duke mos e lënë asnjëherë vetëm e duke i dhënë forcë për të jetuar.
Për të falenderuar Edionin për forcën që i kishte dhënë, Ertisa i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”. Ertisa i premtoi Edionit që do të vazhdonte jetën e saj bashkë me të duke i thënë: “Ajo që ne kaluam do të qëndrojë pas dhe do të vazhdoj që të eci përpara. Dua të të kem pranë sepse pa ty nuk ia dal dot. Jeta na përplasi më një vështirësi të madhe por ne do t’ia dalim. Të premtoj që do të shikoj vetëm përpara”.
Edioni i emocionuar dhe i përlotur tregoi se çfarë kishte ndodhur atë ditë kur kishte marrë lajmin se djali i tij kishte probleme shëndetësore. Por Ertisa dhe Edioni treguan gjithashtu momentet që kishin kaluar pranë djalit deri në momentet e fundit.
Për ta bërë sadopak të lumtur Edionin, Arbana Osmani i kishte sjellë surprizë aktorin e njohur të “Portokallisë”, Ledio Lakon. Ledio erdhi me rolin e “Kapos” dhe krijoi situata gazmore.
Pas skeçit që zhvilloi Ledio iu drejtua çiftit me këto fjalë: “Kjo ngjarje është një ngjarje që mund t’i ndodhë çdokujt, por të ngelet gjatë në memorie. Ju duhet të shikoni përpara dhe të jeni më kurajozë. Unë jam i bindur se tashmë ju nuk do të bëni një fëmijë, por do bëni binjakë”.
Top Channel