Ka kaluar një javë nga vdekja brenda në Komisariatin e Korçës të qytetarit Enea Ftoj dhe bashkëshortja tregon jetesën me tre fëmijët e mbetur jetimë.

“Tani jetoj tek gjyshja, pasi prindërit e Eneas nuk kanë për vetë mundësi ekonomike. Nëse shteti nuk merr masa për mua, unë do të varem me gjithë fëmijë. Nuk kam shpresë tjetër”, thotë me lot në sy Entela Çaçani, bashkëshortja e Eneas.

Pa asnjë ndihmë, përveç asaj që i jepet në spital sa herë humbet ndjenjat, Entela kërkon ende një shpjegim.

“Jeta ime është zi. Ata fëmijë duan një përgjigje kur të rriten. Vajza e madhe thotë se unë e di që babi është në varr”, thotë Entela.

21-vjeçarja ditë më parë ishte në ballë të protestave për të zbuluar shkakun e vdekjes së bashkëshortit.

“Ndihem sikur jam unë në varr, jo sikur është Enea në varr”.

E ëma e Entelës mundohet t’i japë siguri të bijës me tre vajzat e saj, 5, 3 dhe 1 vjeç.

“Mami do t’i qëndrojë afër, por ata nuk kanë keq për një vit, por atyre ua kanë marrë babanë përgjithmonë. Çfarë do të bëhet me vajzën time. Nuk ua urojmë as hasmit këtë”, thotë nëna e Entelës.

Fqinjët tregojnë solidaritet me Entelën.

“Edhe unë qaj, pasi kam fëmijë vet”, thotë një fqinje.

“Ishte djalë i ri. Ku do të shkojë tani Entela me tre fëmijë”, thotë një tjetër fqinje.

Ndërsa në tregun e “gabit” të qytetit të Korçës, ku nisi e gjithë kjo histori, njerëzit ngurrojnë të flasin.

“Nuk isha unë. Unë isha në punë, nuk e pash”, thotë një qytetar.

“Nuk e di”, thotë një tjetër.

Top Channel