Një ditë pas grabitjes së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, situata paraqitet e qetë. Organi i prokurorisë ka vijuar normalisht veprimtarinë e tij, ndërkohë që policia ka bërë me dije se ka ndaluar 3 persona, njëri prej të cilëve është roja private i institucionit.

Sipas policisë, dy të akuzuarit si organizatorë dhe autorë të vjedhjes dyshohet se janë të njëjtët që organizuan edhe grabitjen e korrierit të Prokurorisë së Durrësit në datën 8 maj dhe se ndaj tyre ka disa pamje filmike si dhe dëshmia e korrierit që ka përshkruar personat që e grabitën.

Por, pavarësisht këtyre dyshimeve, personave të ndaluar nuk u janë gjetur deri më tani asnjë nga materialet që kanë marrë, si në vjedhjen e parë të korrierit, ashtu edhe në të dytën në zyrat e prokurorisë.

Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë së Durrësit kanë pohuar për Top Channel se nga zyra e prokurorit Afrim Shehu nuk janë marrë materiale të rëndësishme shkresore. Sipas tyre, autorët kanë mundur të marrin disa akte, të cilat janë plotësisht të zëvendësueshme. Këto akte i përkasin pikërisht dosjes hetimore për tjetërsimin e pronësisë së tokave në zonën e Ishmit. Të njëjtat burime kanë pohuar se aktet autentike, të cilat duhet të jenë origjinale në momentin që paraqiten në gjykatë dhe që nuk mund të paraqiten si fotokopje, nuk ndodheshin në zyrën e prokurorit, por i kanë autoritetet policore që janë të përfshira në këtë hetim.

Ndoshta marrja dhe asgjësimii i këtyre akteve ka qenë edhe qëllimi i autorëve të kësaj vjedhjeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA