Pas gëzimit, alarm te Inter. Largohen Cancelo e Rafinha

24/05/2018 18:13

Pas gëzimit të kualifikimit në frymën e fundit, Luciano Spalletti është më i qetë për të folur, madje dhe hapur. I dehur nga lumturia, trajneri i zikaltërve i gëzohet fatit, që në 3 minuta i shpëtoi sezonin: penalltia e Icardit, karton i kuq për Lulic dhe goli i Vecinos.

Pas ndeshjes ai nuk u shfaq në media, për t’i lënë hapësirë kapitenit Icardi dhe futbollistëve të tjerë. Tani është radha e tij, për atë që dha në këtë sezon dhe çfarë pritet që të ndodhë për tjetrin. Për të është gati rinovimi i kontratës deri në 2021, ndërsa shumë problematika të tjera shfaqen përpara.

“Momenti më i bukur i sezonit ishte ndeshja e fundit, zhgënjimi humbja me Juven, se si u dorëzuam në aq pak kohë. Ndërsa momenti i keq padyshim ndarja nga jeta e Astorit dhe jam pranë familjarve të tij”, u shpreh trajneri i Interit, që konferencën për shtyp e nisi me një falenderim të madh për të gjithë popullin zikaltër, për futbollistët dhe bashkëpunëtorët e tij, që ai i cilëson më të zotë se ai në profesion, si edhe për mbështetjen që i dha skuadra. Spalletti e pranoi që Lazio ka bërë një sezon më të mirë dhe e meritonte kualifikimin, ashtu sikundër i gëzohet edhe fatit që këtë herë i buzëqeshi Interit.

“Mendoj se Inter duhet të ketë më shunë ambicie. Skuadra është rritur dhe këtë e tregojnë numrat. Kemi mundësi të bëjmë edhe më mirë, por nuk mund të themi të pavërteta siç u thanë verën e shkuar dhe më pas krijuam zhgënjim”, tha Spalletti, duke vijuar më pas me merkaton. “Shoqëria ka lëvizur dhe them se ka bërë lëvizje të zgjuara. Por të mos harrojmë se duhet të respektojmë edhe disa rregulla të vendosura nga UEFA. Për momentin mund të them se nuk jemi të gjendje të blejmë as Cancelon dhe as Rafinhan. Do të shohim më pas se çfarë mund të bëjmë”, tha trajneri zikaltër.

Trajneri i Interit u shpreh se ai është ende nën kontratë me Interin edhe për sezonin tjetër dhe është gati që të rinovojë deri në 2021, sigurisht edhe nëse klubi bie dakord. Sa i përket kapitenit Icardi, ai u shpreh: “Mendoj se do të varet shumë nga ajo që do ti ofrojë merkato. Unë e di që e ka Interin në zemër, por nuk mund ti mohohet asnjë profesinisti një eksperiencë e re”, tha Spalletti.

Në fund Spalletti nuk u kursye në adresë të drejtuesve, duke ju referuar merkatos së një viti më parë: “Në fillim më dhanë disa emra, më pas më sollën disa të tjerë. Më dhanë një projekt merkato dhe realizuan një tjetër. Ikën 8 futbollistë dhe sollën 6. U krijua një rrëmujë dhe u arsyetua gabim. Nuk u bënë ato që u kërkuan dhe unë thashë që duhet të ndryshojmë objektivat: nuk ka Champions League. Mediat shkruanin emra që ua jepnin dhe asnjë prej tyre nuk erdhi. Çfarë merkato ishte ajo?”

Top Channel