Në finalen e Championsit me Liverpoolin, Klopp zbulon arsyen pse refuzoi Man. Utd

24/05/2018 13:19

Jurgen Klopp ishte një prej trajnerëve që Manchester United joshi më shumë për ta pasur në pankinë para portugezit Mourinho, por pavarësisht avancimeve që “djajtë e kuq” bënë, gjermani nuk vendosi të firmoste.

Në javën e finales së Champions League, ndeshja më e rëndësishme e Jurgen Klopp te “The Reds”, tekniku ka zbuluar pse zgjodhi skuadrën e “Anfield Road”.

Tekniku 50-vjeçar kishte në plan të qëndronte pushim një sezon, pas largimit nga Borussia Dortmund, por kur Liverpooli trokiti në derën e tij nuk u mendua dy herë.

“Jam vërtet një romantik futboli dhe e dija që mund të ndihmoja në situatën e Liverpoolit. Ndoshta mund t’i përmirësoj në këtë kohë. Kur më treguan problemet që kishin, mendova se jam vërtet menaxheri i duhur për këtë klub”, tha Jurgen Klopp.

Gjermani nënvizoi se kultura e Liverpoolit, një klub i vjetër dhe larg tentakulave të biznesit dhe korporatave, ishte ajo që e bëri të vendoste.

“Kisha bisedime me skuadra të tjera në Angli, por edhe pse shumë të mëdha, nuk dukeshin vërtet si klube, por më shumë si marketing, imazh. Duhej të firmosja shumë gjëra dhe ajo që mendova ishte: Jo, nuk është kjo loja që dua”, tha Klopp.

Referenca e tij është e qartë. Përballë dy ngjyrave të kuqe të Premier League, zgjodhi Liverpoolin dhe jo Manchester United.

Top Channel