Për Andres Iniestën u aludua se do të “varte këpucët në gozhdë”, se pas një karriere të gjatë dhe krejtësisht katalanase nuk do të mund ta gjente veten diku tjetër. Por pas ceremonisë zyrtare të lamtumirës me Barcelonën, shumëkush mund ta ketë bërë pyetjen: Si mundet futbolli botëror të lejojë të mbetet pa një gjeni të rrallë, si Iniesta?

Të shumtë kanë qenë në fakt ata që kanë tentuar ta bindin të qëndrojë ende pjesë e futbollit të luajtur. “Kam pasur shumë oferta këto ditë, por jam bindur vetëm nga një projekt”, do të shprehej vet katalanasi.

Ndërsa sot, Andres Iniesta ka nisur zyrtarisht një jetë të re në Japoni. Ish-kapiteni i Barcelonës ka firmosur një kontratë trevjeçare me Vissel Kobe, një klub që prej vitit 2014 zotërohet nga Hiroshi Mikitani, president i grupit “Rakuten”, që njëkohësisht është edhe sponsori kryesor i ekipit blaugrana.

Në Japoni dhe te Visseli, Iniesta do të gjejë edhe një njohje të vjetër, jo si koleg, por si rival: Lukas Podolskin.

Prezantimin përpara tifozëve të tij të rinj do ta bëjë të shtunën në stadiumin “Misaki Park”, e do të mbajë veshur fanellën me numrin 8.

“Japonia është një vend i madh, më pëlqen gjithçka nga ky ishull, – është shprehur Iniesta gjatë konferencës për shtyp pas hedhjes së firmës në kontratë përpara mbi 300 gazetarëve. – Gjëja më e rëndësishme është fakti që duhet të përshtatem me kulturën japoneze. Kam shumë respekt për futbollin japonez. Kam parë Kombëtaren tuaj teksa luan dhe është me të vërtetë në një nivel të lartë. Shpresoj të kontribuoj me stilin tij dhe të ndihmoj skuadrën time të re. Mezi pres të luaj sërish”.

“Andres është një prej lojtarëve më të respektueshëm dhe me siguri që do të ketë një ndikim të madh mes nesh”, do të shprehej ndër të tjera shefi i klubit, Mikitani.

FOTO GALERI
9/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA