Drejtoresha ekzekutive e EUROPOL, Catherine de Bolle ka kërkuar që agjencitë shqiptare ligjzbatuese të përdorin më shumë raportet dhe mjetet eEUROPOL, për të forcuar kapacitetet e tyre.
Në një takim në Holandë me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, De Bolle foli për përshpejtim të procedurave ligjore që mundësojnë vendosjen e oficerit të kontaktit të EUROPOL në Shqipëri,duke shtuar se e njëjta gjë do të bëhet edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Përshpejtimi i procedurave për nënshkrimin e marrëveshjes e cila do të formalizojë vendosjen e oficerit tuaj të kontaktit në Tiranë, është shumë i rëndësishëm në këtë moment”, është shprehur ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
“EUROPOL do të vazhdojë të kontribuojë në Ballkanin Perëndimor për çështje kyçe të sigurisë, dhe në këtë kontekst marrëdhëniet me Shqipërinë përbëjnë prioritet për ne. Shqipëria, për shkak edhe të pozicionit të saj gjeografik është një partner i rëndësishëm për ne, në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të tjera të paligjshme. Ndaj edhe ajo zë një vend esencial në raportet dhe vlerësimet tona periodike”, ka thënë znj. De Bolle.
Ajo theksoi nevojën e përditësimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis EUROPOL dhe Shqipërisë, e cila daton që nga viti 2013 dhe ka nevojë të përditësohet për t’ju përgjigjur kështu koncepteve dhe prioriteteve të reja.
Kjo marrëveshje do të diskutohet nga Komisioni Europian dhe EUROPOL do të jetë pjesë e këtyre diskutimeve në nivel teknik. Në këtë kontekst, ajo kërkoi mbështetjen dhe kontributin e palës shqiptare në këtë proces.
Top Channel