Një vit më parë, Mateo Musacchio do të parakalonte në Milanello e në selinë e kuqezinjve “Casa Milan”, për të zyrtarizuar atë që përflitej prej ditësh. Milani sapo kishte blerë një mbrojtës të ri, e ky ishte vetëm fillimi.
Fundi i pranverës së 2017-s ishte një periudhë festive për Milanin, mes lajmeve që qarkullonin në rrjete sociale dhe tifozëve që zbrisnin në rrugë me uniformat e klubit.
Një vit më pas, bota duket se është përmbysur mbi kuqezinjtë. Refuzimi i UEFA-s për të pranuar paktin me sanksione gjatë së martës është një goditje e madhe për reputacionin e klubit milanez, por edhe për futbollin italian.
Mbi të gjitha është një njoftim teknik, pasi ende nuk ka shkaktuar reagime të fuqishme, ndërsa tifozët mbeten në pritje mes ankthit. Por, çfarë mund të ndodhë nga tani e në vijim?
1 – Sa duhet të presim? Përgjigjja është maksimumi një muaj. UEFA do të nxitojë, sepse sezoni i ri nuk është edhe aq larg. Ndeshja e parë në Europa League, që sigurisht nuk e impenjon Milanin, do të jetë më 28 qershor, datë përpara së cilës të gjitha skuadrat pjesëmarrëse duhet të kenë konfirmimin. Topi tashmë është në duart e dhomës juridike të organit të Kontrollit Financiar të Klubeve në UEFA, një trupë me 5 juristë dhe me vendimmarrje që kërkon shumicën e thjeshtë. Milani do të prezantojë atje një raportim të shkruar, por edhe mund të thirret në seancë dëgjimore. Fassone ndërkohë do të duhet të shkojë në Nion rreth 7 qershorit.
2 – Çfarë rrezikohet? Sanksionet janë të ndryshme dhe me ndikime të ndryshme. Hipoteza më optimiste është një gjobë dhe kufizim i lojtarëve që do të regjistrohen për pjesëmarrje në Europa League. Hipoteza më pesimiste, përjashtimi nga Europa League. A është e mundur që përveç përjashtimit të vihet edhe gjobë? Sigurisht, por do të ishte një ndëshkim tejet i rëndë. Milani gjithsesi po përgatitet dhe ka krijuar një ekip pune me administratorin e deleguar Fassone, avokatët Mattia Grassani e Roberto Cappelli, si dhe Valentina Montanarin që drejton aspektet financiare.
3 – Pse ndodhet në këtë situatë Milani? Pronarët janë elementi kyç. Misteret rreth Yonghong Li kanë ekzistuar dhe kanë qenë të shumta, duke nisur nga rasti i zbuluar nga “New York Times” mbi pronësinë e “minierës më të madhe të forforit kinez” të cituar në jetëshkrimin e Li. Konfuzioni gjithsesi është zhdukur. UEFA, në komunikatën e saj flet për “paqartësi mbi rifinancimin e huasë dhe për rimbursimin e obligacioneve që duhen bërë brenda muajit tetor”, kjo për shkak se pronarët kinezë po kërkojnë prej muajsh një hua të re prej rreth 500 mln eurosh për të rimbursuar fondin “Elliott”. Për momentin, e vetmja mundësi për Li është të qëndrojë në udhëheqje. E nëse, siç thotë Fassone, klubi ka 3 propozime për rifinancimin, atëherë logjika të bën të mendosh se Yonghong Li do të pranojë njërën prej tyre së afërmi. Ndërsa nëse do të flitej për një rishitje, paradoksalisht për pronarët e rinj do të ishte një avantazh fakti që UEFA nuk ka pranuar paktin me sanksione, pasi kështu mund të negociojnë me kushtet e veta.
4 – Çfarë ka ndodhur në të kaluarën? Në maj të vitit 2015 u zbulua përmbajtja e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë nga Interi dhe Roma, në raport me UEFA-n, për shkak të shkeljes së rregullit të “fair play”-t financiar. Për Interin pati një gjobë prej 20 milionë eurosh, 14 prej të cilave “të ngrira” me kusht. Më pas kufizimet e pagave; reduktimi i ekipit në Europë nga 25 lojtarë në 21 për vitin e parë dhe në 22 për vitin e dytë; kufizim të numrit të blerjeve të reja që mund të përfshiheshin në listën e UEFA-s. Ndërsa për Romën, një gjobë prej 6 milionë eurosh, 4 prej të cilave “të ngrira”; reduktim të ekipit në 22 lojtarë dhe kufizim të merkatos. Ndaj Milanit, me përjashtim të ndonjë surprize, gjërat do të jenë më të rënda.
5 – Çfarë do të ndodhë nëse Milani përjashtohet nga Europa League? – Në të kaluarën, pjesëmarrja në Kupat e Europës u është mohuar skuadrave të tilla si Galatasaray, Dinamo e Moskës, apo Panathinaikos. Nëse kjo do të ndodhte edhe me Milanin, klubi kuqezi do të bënte rekurs në Tribunalin e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë. Vendimi i CAS-it do të merrej nga tri gjykatës, të paanshëm, nga të cilët njëri do të nominohej nga Milani, njëri nga UEFA. Milani do të duhej të prezantonte një kontratë. Por e gjitha kjo mund të ndodhë vetëm në qershor dhe me një shpejtësi të rrufeshme, duke bërë që net të gjata pa gjumë të garantoheshin për gjyqtarët dhe tifozët e Milanit.
Top Channel