Cristiano Ronaldo nuk është vetëm fitues i “Topit të Artë” dhe një prej futbollistëve më të mirë të historisë së futbollit, por për suksesin e tij thuhet se ka shumë sekrete, mes të cilëve edhe fiksimi prej maniaku i kujdesit ndaj fizikut të tij.

Sulmuesi portugez duket se do të shkojë në finalen e Championsit me një peshë prej një kg më pak krahasuar me vitin e kaluar, tashmë rreth 84 kg. Filozofia e tij parashikon humbjen e një kg çdo vit, për të mos shtuar nivelin e yndyrave në gjak e rrjedhimisht për të mos reduktuar shpejtësinë e tij.

Por, cila është dieta që përdor sulmuesi i Realit dhe Kombëtares portugeze? Këtë e zbulon për “Business Insider” shefi i kombëtares iberike.

Krahasuar me 85 kg, pesha standarde me të cilën është mësuar tashmë Ronaldo, sipas të përditshmes spanjolle “AS”, CR7 do të shkojë në Kiev me një kg më pak. Faktikisht në moshën 33-vjeçare, mbajtja e një forme kaq perfekte duket të jetë një mision i vështirë për cilindo, por jo për portugezin.

Fiziku i tij i lejon të shfaqë nivele të paimagjinueshme për lojtarë të tjerë, mbi të gjitha në moshën e tij. Gjuajtjet, driblimet dhe roveshatat si ajo që mori edhe duartrokitjet e “Allianz Stadium” të Torinos, në ndeshjen ndaj Juventusit, sigurisht që janë meritë e dietës perfekte.

Madje edhe stafi teknik i Realit habitet kur sheh të dhënat e CR7. Ai ka një masë yndyrash prej 7% (krahasuar me 10-11% të lojtarëve të tjerë përgjithësisht) dhe një masë muskulore prej 50% (ndryshe nga 46% që është mesatarja e të tjerëve). Mosha e tij biologjike tregon sikur ai të ishte vetëm 23 vjeç. Mes sekreteve të këtij suksesi është edhe strategjia e Zidane, që shpeshherë gjatë këtij sezoni nuk e ka aktivizuar, duke i lejuar më shumë kohë pushim.

“Ndihem shumë mirë dhe në Kiev do të jem në formën time optimale”, ka garantuar Cristiano. Por, veç aktivitetit fizik, ajo që ndikon më së shumti në këtë fuqi të jashtëzakonshme të tij është edhe dieta, siç zbulon shefi i kuzhinës së Portugalisë, Luis Lavrador, që kujdeset personalisht për superyllin e saj.

Të ushqyerit shëndetshëm është një diçka dogmatike për Cristianon, i cili ndryshe nga sa mund të mendojnë të tjerët, nuk privohet thuajse anjëherë së piri një gotë vere të kuqe. Ato që nuk mungojnë janë drithërat, frutat e freskëta, proteinat e varfra dhe shumë sallaturina.

Sekreti tjetër? Gjatë stërvitjeve, Cristiano dehidratohet me pije izotonike të përgatitura enkas për të pasur më pak sheqer sesa ato që gjenden nëpër dyqane, si dhe një përzierje karbohidratesh për të rritur rezistencën, me elektrolitë dhe vitaminë B12 për të luftuar lodhjen. Në fund, dieta parashikon edhe mish të pjekur në zgarë, shoqëruar me sallatë dhe mbi të gjitha peshk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA