Akordi është arritur, por për zyrtarizimin e tij do të duhet të pritet data 1 qershor. Carlo Ancelotti do të jetë trajneri i ri i Napolit, pas takimit për rreth 3 orë të ditës së martë, që duket se përfundoi me “ok”-in e ish-trajnerit të Bayern Munchen për t’u ulur në pankinën e të kaltërve.
Në orët e para të mëngjesit, në Romë kanë mbërritur edhe bashkëpunëtorët e stafit të Ancelottit.
Kontrata që do të lidhë ish-trajnerin e Milanit me klubin jugor do të jetë dyvjeçare, me opsion rinovimin, me një pagë prej 6.5 milionë eurosh, si për të kënaqur pretendimet e trajnerit me shumë eksperiencë, i cili do të ketë edhe 4 bashkëpunëtorë: të birin Davide, dhëndrin Mino Fulco, përgatitësin atletik Mauri dhe djalin e këtij të fundit, Francesco.
Megjithatë, konfirmimi zyrtar kontraktor do të përcaktohet pasi të zgjidhet çështje “Sarri”, ndaj dhe mund të marrë pak ditë. Trajneri Sarri u prit deri ditën e djeshme për të zhbllokuar situatën dhe për të vendosur nëse do t’i shprehte besnikëri Napolit, apo do të largohej. Problemi i vetëm për t’u zgjidhur është klauzola e trajnerit aktual, prej 8 mln eurosh, që do të negociohet për t’u paguar nga Zeniti (pa trajner pas largimit të Mancinit) apo Chelsea (që pritet të shkarkojë Conten).
Napoli edhe mund ta shkarkonte Sarrin, duke paguar vetëm 500 mijë euro. Ndërsa tani, me ardhjen e Ancelottit flitet edhe për një merkato të bujshme. Duke nisur nga emri i Vidal, e për të përfunduar tek ato të Susos, apo Balotellit.
Top Channel