Një gjykatë turke ka dënuar 104 ish-oficerë ushtrie me burgim të përjetshëm për përfshirjen e tyre në përpjekjen e dështuar për “grusht shteti” në korrik të vitit 2016.
Sipas asaj që raporton media shtetërore, atyre iu është dhënë “dënim i rënduar i përjetshëm”, që do të thotë një dënim kapital me kushte më të rënduara sesa ai normal.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan është shprehur më herët se ka qenë dhe do të jetë në favor të rikthimit të dënimit kapital për puçistët.
Grushti i dështuar i shtetit për të rrëzuar presidentin Erdogan la të paktën 260 njerëz të vdekur dhe 2.200 të tjerë të plagosur në skenat e tmerrshme të 15 korrikut të vitit 2016.
Prej atëherë, qeveria turke ka ndërmarrë një fushatë të rëndë goditëse ndaj mbështetësve të pretenduar të atij puçi, duke shkarkuar më shumë se 150 mijë nëpunës shteti dhe duke arrestuar rreth 50 mijë të tjerë.
Nga 280 ish-ushtarakët e paraqitur në gjyq, Gjykata e Izmirit dha dënime më të lehta për 52 të pandehur të tjerë. Mes tyre, 21 persona u dënuan me nga 20 vite burgim për “asistim në vrasjen e presidentit”, ndërsa 31 të tjerë u dënuan me 7 deri në 11 vite për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”.
Veç mbështetjes për dënimin e përjetshëm, të cilin Turqia e kishte hequr në vitin 2004, për puçistët, presidenti Erdogan tha se fajtorët do të duhet të veshin uniforma të ngjashme me të burgosurit e Guantanamos.
Autoritetet turke akuzojnë lëvizjen besnike ndaj klerikut mysliman, Fethullah Gulen, për organizimin e puçit të vitit 2016. Megjithatë, Guleni, i cili jeton në ekzil të vetimponuar në SHBA prej vitit 1999, mohon përfshirjen, ndërsa Uashingtoni ka rezistuar deri më tani përballë thirrjeve të autoriteteve turke për ekstradimin e tij.
Top Channel