I njohur në fushën e artit me emrin Escobars, ai është një tjetër talent me origjinë shqiptare, emri i të cilit ka nisur të bëhet i famshëm në botë. Emra Haritzi ka lindur në Gjermani dhe në moshën 7-vjeçare është zhvendosur në Londër por në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, ai është shprehur se origjina e tij është shqiptare, ekzaktësisht nga Peja, Kosovë.
Escobars ka rreth 5-vjet që merret me muzikë, ku ka patur edhe ndërprerje por kohët e fundit, ai shprehet se e ka marrë më seriozisht dhe është i vendosur të mos shkëputet më nga muzika.
Ai është pjesë e “GRM Daily”, platformës më të madhe të “Urban Music” në Uk, ku shumë artistë të njohur promovojnë muzikën e tyre.
“Jam i sigurt që më parë mundet ta keni dëgjuar emrin tim dhe disa nga këngët e mia. Ndihem që nuk ka një artist të dytë si unë dhe dua që këtë t’ja tregoj botës. Mendoj se tani është koha e duhur, është 100% ajo që unë dua të bej. Më pëlqen shumë të performoj muziken time dhe të shikoj reagimet që vijnë nga fansat”, shprehet ndër të tjera këngëtari.
Escobars ka rreth një muaj që ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, “Cokaeena”, në bashkëpunim me Big Zeeco por vetëm këtë javë kjo këngë ka mundur të bëhet pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke u renditur në vendin e 63-të.
“Me ndihmën e Zotit do doja shumë shpejt ta shihja veten si një nga artistët më të mëdhenj në botë dhe seriozisht mendoj që mund të jem“, shton Escobars.
Këngëtari premton se ka shumë këngë të reja që pritet të dalin në treg kështu që duhet t’i mbajmë sytë nga ai.
“Kam histori të çmendur të jetës time që jam i sigurtë shumë njerëz do duan ta dëgjojnë. Shpejt besoj të kem rastin t’ju them më shumë rreth historisë sime. Shpresoj të ndiqni udhëtimin tim në muzikë në të ardhmen”, përfundon këngëtari.
Top Channel