NBA, Golden State kryeson ndaj Houstonit në finalen e Perëndimit

21/05/2018 13:13

Golden State i kundërpërgjigjet Houstonit në finalen e Konferencës së Perëndimit, në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

Skuadra kampione në fuqi fitoi sfidën e tretë ndaj teksanëve në “Oracle Arena”, me rezultatin 126-85, e tani kryeson serinë e përballjeve me të 2-1.

Golden State zhvilloi ndeshjen perfekte ndaj Houstonit, e këtë e tregon diferenca prej 41 pikësh në rezultatin përfundimtar të sfidës, që përbën edhe humbjen më të rëndë të pësuar nga Rockets.

Stephen Curry ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë, të cilën e mbylli me 35 pikë; 18 nga të cilat i shënoi në periodën e tretë, ku pati një saktësi mbresëlënëse, pasi i shënoi të 7 tentativat e tij në këtë 12-minutësh.

Ekuilibri në parket mes skuadrave zgjati më pak se një periodë. Në fundin e pjesës së parë, Golden State kishte krijuar një avantazh prej 11 pikësh, 54-43. Me fillimin e periodës së tretë filloi edhe spektakli i Curryt dhe Houstoni u dorëzua pa kushte.

Në periodën e katërt, Golden State regjistroi rezultatin e pjesshëm 38-18, duke bërë që të krijohej pikërisht diferenca prej 41 pikësh me teksanët, të cilët ç’është më e keqja shënuan 20 sulme të humbura.

Stephen Curry nuk ishte i vetmi që shkëlqeu në parket. Përveç tij u dalluan edhe Kevin Durant, me 25 pikë; Klay Thompson me 13 dhe Igoudala me 10 pikë; ndërkohë që Draymond Green e mbylli sfidën me 17 pikë e 6 asiste. Në krahun tjetër, James Harden nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi në këtë ndeshje shënoi 13 pikë e dha 10 asiste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA