“Ditënetët e Librit”, ndahen çmimet në panairin e 40 shtëpive botuese

21/05/2018 15:25

Në mbyllje të panairit “Ditënetët e Librit”, në edicionin e parë të kësaj nisme kulturore, janë edhe çmimet. Studiuesja Klara Kodra u nderua me çmim për karrierën e gjatë si kritikë e studiuese, ndërsa në fushën e përkthimeve u vlerësua Krenar Haderi.

“Shpresoj që këto aktivitete të shprehin shpirtin e letërsisë dhe të kulturës shqiptare të vendit tonë dhe të rrisin në cilësi e të çmohen për vitalitetin që i japin letërsisë sonë”, tha znj. Kodra.

I konceptuar në formën e një festivali kulturor, panairi mirëpriti 40 shtëpi botuese dhe 40 ekspozues të tjerë si fakultetet dhe bibliotekat, të cilët gjithashtu u vlerësuan më çmime.

Panairi nderoi Artur Sulën, Dekan i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Ardian Isufin, Dekan në Fakultetin e Arteve dhe Gazmend Lekën, mjeshtrin e grafikës dhe kopertinave.

“Universiteti i Arteve dhe Fakulteti i Arteve të Bukura është prezantuar me një pavijon që lidhet me simbolikën e letrës, si një nga elementët që i bashkohet Ditënetëve të Librit. Dua të përshëndes Elonen dhe Luanin për mbështetjen që i bëjnë studentëve në aktivitetet e ardhshme”, tha Ardjan Isufi, Dekan i Fakultetit të Arteve Figurative.

Ndër Shtëpitë Botuese, më e mira mes tyre u vlerësua “Fan Noli” për botimin e Madaleine Albright “Të fuqishmit dhe i plotfuqishmi”.

“Ju falenderoj për vlerësimin që më bëtë mua dhe shtëpisë sime botuese dhe ju përgëzoj për këtë veprimtari të shkëlqyer që keni organizuar, e cila jam i sigurtë që do të pasohet nga veprimtari dhe aktivitete të tjera më të bukura e më të shkëlqyera”, tha Rexhep Hida, shtepia botuese “Fan Noli”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA