Ndërsa në futboll Reali i Madridit është ende në pritje të zhvillimit të finales së Ligës së Kampioneve, skuadra spanjolle siguron një trofe evropian: titullin kampion të Euroleague në basketboll për meshkuj.

Në “Stark Arena” të Beogradit, ku u zhvillua “Final Four” i këtij kompeticioni, Reali bëri të vetin finalen ndaj Fenerbahçes me rezultatin 85-80, duke fituar titullin e 10 kontinental.

Në një atmosferë të ndezur në kryeqytetin serb, Fenerbahçe e nisi mjaft mirë sfidën teksa mori avantazhin 11-6, por Reali i Madridit nuk vonoi shumë për të anuluar këtë avantazh të lehtë të skuadrës turke, që kërkonte të mbronte titullin e fituar një vit më parë. Spanjollët, pas një gjuajtjeje të saktë për 3 pikë të Lul, morën kryesimin në 18-15, për të mbyllur periodën e parë 21-17.

Në fillimin e 10 minutave të dyta, Reali tenton të thellojë avantazhin dhe ia del për pak, teksa e çoi rezultatin në 25-17, por Fenerbahçe, falë pikëve të italianit Meli, e shkurton diferencën fillimisht në 27-24 e më pas në 29-28, madje në pushimin e ndeshjes skuadra turke shkoi me avantazhin 40-38.

Në periodën e tretë, Reali i Madridit u shfaq me një tjetër ritëm duke përmbysur disavantazhin e dy periodave të para, për të rimarrë kryesimin 43-40. Në fundin e periodës së tretë, iberikët e kishin rritur diferencën në 8 pikë (63-55). Në këtë pikë u duk se gjithçka shkoi në favor të madrilenëve, por Fenerbahçe nuk ishte një skuadër që dorëzohej kollaj dhe në më pak se 1 minutë lojë Reali udhëhiqte me vetëm 3 pikë diferencë: 81-78.

Për në fund Reali u tregua më i saktë, për të mbyllur llogaritë në 85-80 e për të ngritur më pas edhe trofeun e kampionit të Evropës për klube.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA