LeBron spektakolar, zgjon Clevelandin në finalen ndaj Bostonit

20/05/2018 12:49

Clevelandit iu desh një zgjim i fortë në finalen e Konferencës së Lindjes dhe kjo ndodhi në ndeshjen e tretë ndaj Boston Celtics. Në Quicken Loans Arena, skuadra nënkampione e NBA fitoi përballjen me Bostonin 116-86 duke e shkurtuar në 2-1 serinë e ndeshjeve me të dhe për të rihapur çështjen e fitores së kësaj finaleje.

Diferenca prej 30 pikësh me të cilën Cavaliers e fitoi këtë ndeshje nuk lë shumë vend për komente. Cleveland zhvilloi ndeshjen perfekte duke e krijuar shumë shpejt diferencën me pikë dyshifrore, duke e ruajtur me mjeshtëri atë gjatë gjithë ndeshjes.

Ai që drejtoi Cleveland drejt kësaj fitoreje të rëndësishme nuk mund të ishte askush tjetër përveçse LeBron James, që e mbylli sfidën me 27 pikë e 12 asist.

Mjaft mirë u paraqit edhe Kevin Love me 13 pikë e 14 topa në tabelë në 30 minuta lojë. Po kështu shkëlqyen edhe Kyle Korver me 14 pikë, George Hill me 13, JR Smith me 11 e Tristan Thompson me 10 pikë.

Për Bostonin, më të mirët ishin Jayson Tatum me 18 pikë, Terry Rozier me 13, Greg Monroe me 10 e Jaylen Brown me 10 pikë. Ndeshja e katërt mes Cleveland dhe Bostonit për finalen e Konferencës së Lindjes do të luhet në mbrëmjen e së martës, sërish në Quicken Loans Arena në Cleveland, një sfidë që parashikohet të jetë akoma më spektakolare dhe e rivalizuar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA