Vllaznia pret Kukësin, me veshë nga Kamza, Partizani e Luftëtari luajnë Europën

19/05/2018 05:42

Kategoria Superiore rikthehet sot me ndeshjet e javës së 35-të, që është njëkohësisht e parafundit e sezonit, që mbyllet më 26 Maj.

Me shumë prej verdikteve kryesore të dhëna tashmë, vëmendja maksimale do të jetë e përqendruar në Shkodër dhe Kamëz.

Në prag të 100-vjetorit të themelimit, Vllaznia është me një këmbë në Kategorinë e parë dhe në sfidën e sotme me Kukësin duhet të marrë 3 pikët dhe njëkohësisht të shpresojë në humbjen e Kamzës në sfidën ndaj Laçit.

Nga ana tjetër, mjaft interes paraqet edhe gara për një vend në Kupat e Europës, ku Partizani do të udhëtojë në Vlorë, për t’u përballur me Flamurtarin, ndërsa Luftëtari do të presë në Gjirokastër kampionët e saposhpallur, Skënderbeun.

Sfida e fundit e javës së 35-të do të jetë ajo mes Teutës dhe Lushnjës, ku durrsakët pritet të bëjnë detyrën dhe të sigurojnë edhe matematikisht qëndrimin në Superiore, përballë një kundërshtari që do të rikthehet në Kategorinë e Parë.

Të gjitha sfidat e kësaj jave do të startojnë në orën 16:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA