Superiorja, Vllaznia përmbys Kukësin, “i gëzohet” golit laçian

19/05/2018 16:32

Janë mbyllur pjesët e para të ndeshjeve të javës së 35-të të Kategorisë Superiore, e parafundit dhe ajo vendimtarja ndoshta për verdiktet e këtij sezoni. Momentalisht, Vllaznia do të shpresojë për mbijetesën deri në frymën e fundit, pas kryesimit 2-1 ndaj Kukësit dhe kryesimit të Laçit në Kamëz. Teuta zyrtarizon mbijetesën, ndërsa Luftëtari e Partizani janë në zonën europiane.

Teuta, njëra prej të rrezikuarave pranë zonës së ftohtë të renditjes së Kategorisë Superiore përpara ndeshjeve të sotme, e nisi vrullshëm ndeshjen e saj të javës së parafundit, duke shënuar që në minutën e parë ndaj lushnjarëve, që e kanë prerë prej kohësh biletën për rikthim në Kategorinë e Parë.

Për durrsakët shënoi Amadu dhe, pavarësisht barazimit të përkohshëm nga Sefa për Lushnjen, “djemtë e detit” kaluan sërish në epërsi me anë të Beqjas, ndërsa fundin e pjesës së parë e zyrtarizuan me trefishim të rezultatit.

Rezultati ka ndryshuar shumë shpejt, vetëm pas dy minutash lojë, edhe në Kamëz, aty ku vendasit ndeshen me Laçin me objektiva të kundërta; kamzalinjtë për mbijetesë dhe kurbinasit për zonën e kupave të Europës.

Goli i shënuar nga Reginaldo për laçianët vjen si “ogur i mirë” edhe për tifozët në “Loro Boriçi”, të cilët ndonëse janë duke ndjekur ndeshjen mes Vllaznisë dhe Kukësit, janë gjithë sy e veshë nga Kamza për të mësuar fatet e këtij takimi. “Shpërqëndrimi” preku fillimisht edhe lojtarët në Shkodër, me kuqeblutë që pësuan gol nga Kukësi, autor i golit të të cilit ishte Balde, por më pas përmbysën rezultatin me anë të Cinarit dhe Kalasë.

Në rast fitoreje të Kamzës, shkodranët do të binin zyrtarisht në Kategorinë e Parë, por duket se deri më tani e kanë bërë detyrën e tyre dhe presin vetëm “dhuratën” e të tjerëve. Në ndeshjet e tjera, Partizani ka kaluar në avantazh ndaj Flamurtarit, me gol të Abdurahimit, ndërsa Luftëtari-Skënderbeu është në shifra të barabarta 1-1.

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA