Përveç Champions League në futboll, Reali i Madridit do të luajë një tjetër finale, atë të “Euroleague” në basketboll.

Skuadra madrilene mundi në ndeshjen gjysmëfinale pretendentët për fitoren e këtij trofeu, CSKA-në e Moskës, me rezultatin 92-83.

Fillimi i sfidës ishte shumë më i mirë për skuadrën ruse, që shfrytëzoi gabimet në mbrojtjen e madrilenëve për ta mbyllur periodën e parë me rezultatin 30-20.

Trajneri laso vendosi të bëjë disa ndryshime te Reali që dhanë efekt të menjëhershëm, pasi spanjollët jo vetëm e e reduktuan ndjeshëm diferencën, por e mbyllën pjesën e parë me avantazhin 47-46.

Me fillimin e periodës së tretë, CSKA-ja e humbi shkëlqimin në sulmin e saj dhe nga kjo përfitoi Reali i Madridit, që filloi të marrë arratinë në rezultat falë pikëve të Causeur dhe talentit Donçiç, duke marrë kryesimin në 60-51.

Gjithsesi, CSKA-ja iu afrua madrilenëve në 56-61 për ta çuar më pas rezultatin në 61-64. Por pas një rezultati të pjesshëm 9-0, Reali regjistroi avantazhin maksimal të sfidës 73-61.

CSKA-ja reagoi sërish duke e shkurtuar difrencën në 73-76, por diferenca u rrit përsëri nga Reali, që në fund e mbylli ndeshjen 92-83.

Reali i Madridit kthehet në finalen e “EuroLeague” pas 3 vitesh dhe do të tentojë të fitojë titullin e 10, pikërisht në përballjen me Fenerbahçen.

Skuadra turke eliminoi në gjysmëfinale lituanezët e Zalgiris, 76-67, për të luajtur finalen e tretë radhazi, ku do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.

Fenerbahçe e mori kryesimin e ndeshjes që në fillimin e saj dhe e mbylli periodën e parë 19-13. Ekipi turk vazhdoi të kontrollojë ndeshjen edhe në periodën e dytë, e në fundin e pjesës së parë rezultati ishte 39-33.

Zalgiris pati një lloj reagimi në 10-minutëshin e tretë, që e mbylli 17-15, por në rezultatin e përgjithshëm ishte Fenerbahçe që vijonte kryesimin 54-50. Perioda e fundit foli sërish për një epërsi të turqve, që e mbyllën krejt ndeshjen 76-67.

Ndeshja finale mes Realit të Madridit dhe Fenerbahçes do të luhet mbrëmjen e së dielës.

Top Channel