Në Shkodër u ringjallën sërish shpresat, pas fitores ndaj Kukësit, që u shoqërua edhe me humbjen e Kamzës në shtëpi ndaj Laçit. Trajneri Ervis Kraja bën llogaritë me laps e letër dhe shpreson se Vllaznia do t’ia dalë të mbijetojë.

“Është një nisje e mirë, por nuk duhet të gëzohemi deri në ndeshjen e fundit. Kemi bërë një ndeshje të mirë, na gëzoi fitorja e Laçit, e cila na hapi shpresën. Fitorja e Partizanit ndaj Kamzës dhe fitorja jonë ndaj Skënderbeut të pamotivuar na shpëton. Gjendja psikologjike është shumë e rëndë, por kemi punuar gjithë javën për këtë pjesë. Po t’i shikojë lojtarët, po pyesnin si është rezultati në Kamëz, tërë kohës”, thotë ai.

Julian Ahmataj shpreson deri në fund. Trajneri i Kamzës mbetet optimist se skuadra do të shpëtojë.

“Nëse do të ishte ndeshja e fundit, do të ishte tragjike, pasi mund të binim, por kemi edhe një shans tjetër. E patë tensionin që ishte prezent sot. Disa lojtarë me eksperiencë e mbajtën presionin, ndërsa disa të rinj nuk ia arritën. Idrizaj na prishi shumë punë, pasi me atë kishim përgatitur goditjet standarde. Mendoj se ishte një fat i keq i joni. Edhe tre ndërrimet e tjera ishin të detyruara. Nuk patëm asnjë shans për të rikuperuar skuadrën. U munduam të lëviznim brenda skuadrës me pozicionet. Duhet ta menaxhonim më mirë fundin e ndeshjes. Entuziazmi e çoi ekipin në një pikë ku nuk duhet të shkonte”, thotë ai.

Goli i dytë i Laçit mbërriti si pasojë e përgjumjes së vendasve.

“Ishte një disekuilibër në fund të ndeshjes, edhe nga lodhja. Ata nuk reaguan në ato momente, ndoshta edhe nga lodhja. Këtu ka qenë futboll i vërtetë deri në fund. Të dyja skuadrat e kanë luajtur deri në fund, për objektivat e tyre. Te ndeshjet e tjera, luajnë skuadra që i kanë arritur objektivat e tyre në kampionat dhe e kanë mbyllur sezonin e tyre”, vijon ai.

Ahmataj thotë se mungesa e Sebino Plakut e penalizoi shumë skuadrën.

Ndërkohë, trajneri i Laçit, Gentian Mezani thotë se skuadra fitoi për objektivat e veta dhe jo për t’i bërë nder Vllaznisë.

“Më vjen keq për Kamzën, në qoftë se do të bjer, është edhe një ndeshje, është e kot që të flas. Kemi luajtur për veten tonë, për të arritur objektivin që kemi. Nuk i ka ardhur mirë Shtubinës që Vllaznia po binte. Kemi punuar duke menduar vetëm ndeshjen tone dhe objektivin tonë”, u shpreh ai.

Nëse në Kamëz pati lot dhe në Shkodër shpresë, në Durrës pati festë. Teuta siguroi mbijetesën falë goleadës 6-2 ndaj Lushnjes.

Trajneri Gentian Begeja ishte arkitekti i vërtetë i kësaj skuadre, pasi mori drejtimin kur ekipi ishte tërësisht i shthurur dhe arriti të krijojë një grup të fortë, që luftonte për çdo top.

“Situata nuk ka qenë e mirë kur e mora drejtimin e skuadrës, por djemtë janë përkushtuar. Kanë punuar pa pushim, duke parë situatën. Sot dua t’i falënderoj drejtuesit, kolegët, lojtarët nga zemra, që kemi punuar këtë periudhë”, deklaron ai.

Sa i takon të ardhmes…

“Sinqerisht, e them që primare ka qenë kalimi i kësaj situate. Për të ardhmen time, do vendosin drejtuesit. Dëshira është e madhe të vazhdoj punën me Teutën, por varet prej tyre nëse do vazhdoj apo jo”, thotë Begeja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA