Kjo javë mund të thuhet se ishte e gjitha emotive dhe e lamtumirave. Pas kapitenit legjendar të Juventusit, Gianluigi Buffon, që ditën e enjte zyrtarizoi largimin nga bardhezinjtë, ishte radha e Andres Iniestës dhe Fernando Torresit që të bënin ceremonitë e tyre të fundit të lamtumumirave nga Barcelona dhe Atletico Madrid.
Në “Camp Nou” gjithçka ishte në nder të kapitenit të katalanasve që të dielën do të luajë 90 minutat e tij të fundit me fanelën “blaugrana”. Drejtues, futbollistë e ish-futbollistë të kësaj skuadre dhe stafi teknik ishin të pranishëm për ceremoninë e këtij futbollisti, i cili ishte një shembull për të gjithë në fushë dhe jashtë saj, madje miku i Iniestës, Xavi Hernandez nuk i fshehu aspak lotët.
“Orët e fundit nuk ishin të lehtë për mua. Është e vështirë të mendohet se ka ardhur momenti që të lë klubin, do të kërkoj që kohën e mbetur ta shfrytëzoj në maksimum, sidomos ndeshjen e së dielës kur do të përshëndes për herë të fundit klubin që deri tani ka qenë shtëpia ime. Do të jetë emocionuese dhe emotive”, tha Iniesta.
Kjo ndodhte në Barcelonë, ndërsa në Madrid ishte radha e Fernando Torresit që të mbante fjalimin e tij të lamtumirës nga Atletico. Në rrugët e kryeqytetit spanjoll u mbajt parada e “Los Colchoneros” për fitoren e trofeut të Europa League, momenti më i mirë edhe për 34-vjeçarin për të folur përballë mijëra tifozëve të Atleticos që kishin pushtuar rrugët e Madridit.
“Kam qenë këtu për 22 vjet. Isha vetëm 11 vjeç kur kam parë Atleticon e Madridit në 1996. E pashë që ngriti trofeun e Kupës dhe ëndërroja që një ditë të isha këtu. Ka kaluar shumë kohë dhe unë kam fituar shumë, por pa dyshim kjo është fitorja më e bukur. U them të gjithë fëmijëve që kanë ëndrra se asgjë nuk është e pamundur, sidomos kur je i Atleticos”, tha sulmuesi spanjoll.
Top Channel