Valtteri Bottas shprehet i kënaqur me fillimin e këtij sezoni në Formulën 1, edhe pse nuk e ka fituar ende një garë, ndërkohë që në vitin 2017 kishte fituar 3 Çmime të Mëdha, duke fituar të drejtën e rinovimit të kontratës me Mercedesin.
Në një intervistë për portalin “crash.net”, piloti finlandez thekson se ai duhet të përmirësohet edhe më shumë.
“Mendoj se për këtë vit i kam arritur objektivat e mi për fillimin e sezonit. Mendoj se jam në gjendje të vazhdoj me paraqitjet e mira të fundit të vitit të kaluar. Këtë vit nuk kam qenë në asnjë moment me ritëm të ulët, siç ndodhi në vitin 2017, kështu që mendoj se kam mësuar shumë. Ajo që duhet të bëj është që të përmirësohem edhe më shumë”, tha Bottas.
Në Botërorin e Formulës 1 të këtij viti, Valtteri Bottas ka arritur 3 vende të dyta, e thekson se fitorja do të vijë.
“Diferenca me Lewis Hamilton në garën e Spanjës ishte e madhe, por unë mendoj se ishin shumë gjëra që më kushtëzuan. Unë jam i sigurtë se do të jem në gjendje të fitoj gara, por këtë vit do të jetë më e vështirë”, vijoi Bottas.
“Jemi ende në fillimin e sezonit. Kemi krijuar një avantazh të mirë me Ferrarin. Të paktëm unë i jam afruar Vettelit në pikë dhe jam para Kimit, kështu që gjithçka po shkon mirë. Nuk dua të mendoj për pikët, por për garat një nga një”, përfundoi ai.
Top Channel