Të shtunën, violinisti i njohur dhe anëtari i Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli do të prezantohet për herë të parë me ansamblin me emrin e tij, të cilin e themeloi së fundmi në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, në Gjakovë.
Në konferencën e përpara gazetarëve, Doli tha se ansambli i tij bazën do ta ketë në Gjakovë, ndërsa në përbërje synon të mbledhë instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare. Sipas tij, ansambli do të luajë vetëm muzikë autoktone shqiptare.
“Koncerti mbahet për të festuar themelimin e këtij ansambli. Momentalisht janë angazhuar instrumentistë dhe janë ftuar këngëtarë të cilët kanë dhënë një kontribut për muzikën shqiptare. Kësaj here nuk do të valltarë. Ne do të përçojmë vetëm muzikë shqiptare të të gjitha trevave, jo vetëm popullore, por edhe të zhanreve të tjera”, deklaroi Doli.
Ansambli “Shkëlzen Doli” pritet të marrë formë në shtator të këtij viti, pas audicionit që do të hapet për të plotësuar nevojat e tij. Po ashtu, pritet edhe të publikohet kalendari njëvjeçar artistik i këtij ansambli.
“Në shtator synojmë që të hapim audicionin dhe të bëjmë pjesë të ansamblit profesionistë nga të gjitha trojet. Pas plotësimit, ne do të prezantojmë edhe kalendarin tonë njëvjeçar ku do të përcaktohet se ku do të jemi të angazhuar. Synojmë që 10 koncerte t’i mbajmë në Gjakovë, ndërsa shtesë do të angazhohemi edhe në qytetet e tjera të Kosovës, Shqipërisë dhe kudo ku ka shqiptarë dhe jo vetëm”, vijoi Doli.
Anëtari i Filarmonisë së Vjenës shpjegoi edhe mënyrën e financimit të Ansamblit, për të cilin tha se do të kujdeset ai me bashkëpunëtorët të cilët e morën iniciativën për themelimin.
“Kjo ka qenë ide e jona që të themelojmë një ansambël. Shpenzimet i kemi marrë përsipër ne. Sigurisht që mund të ketë ndonjë ndihmë për ndonjë aktivitet, por në masë të madhe do të kujdesemi vetë për shpenzimet. Situatë e njëjtë është edhe për koncertin e nesërm”, u shpreh ai.
Drejtori artistik i Ansamblit “Shkëlzen Doli”, Ruzhdi Sadiku, u shpreh i bindur në jetëgjatësinë dhe suksesin e krijesës më të re të Dolit. Ai foli edhe për përmbajtjen e koncertit të së shtunës.
“Instrumentistët janë me prova prej kohësh, ndërsa në javën e fundit iu është bashkuar edhe Shkëlzeni (Doli) dhe mendojmë se gjithçka është gati. Në koncert do të luhen këngë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe do të ketë surpriza të bukura artistike”, u shpreh Sadiku.
Në koncertin e së shtunës që nis në ora 20:00 do të marrin pjesë edhe këngëtarët Ismet Peja, Edi Furra, Gentian Gojani, Vesa Smolica, grupi Polifonik nga Himara, grupi Ashikët, Rroni Sadiku dhe të tjerë.
Top Channel