“Dëshmitari X”, i quajtur Albert Veliu, u pyet për 5 orë nga prokurori Përparim Kulluri për llogari të hetimeve të hapura për trafik narkotikësh.
Gjatë orëve kur “Dëshmitari X” po pyetej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, avokati Artan Murrizi, i cili mesa duket i ishte siguruar nga Partia Demokratike, e humbi qetësinë. Ai u shfaq në të dyja krahët e Krimeve të Rënda, duke pritur klientin e pazakontë, për të cilin gjatë komunikimit me Top Channel nuk dha asnjë koment.
Në pritje si ai për Albert Veliun ishin edhe disa oficerë civilë të policisë, të cilët nuk lëvizën nga vendshërbimi. Por, pasi është pyetur për videon dhe takimet që ai thotë se i ka zhvilluar me Agron Xhafën, dëshmitari doli me një makinë me xhama të zinj.
Transporti i tij u krye nën kujdesin e avokatit, që kësaj radhe ishte më shumë në rolin e shoferit. Pasi prokuroria e la të lirë dëshmitarin Albert Veliu, shqetësimi u kaloi oficerëve, të cilët nxituan ta vendosnin nën ruajtjen e tyre.
Albert Veliu, siç thanë burimet, u pyet për dosjen që mban numrin 95, të regjistruar për trafik narkotikësh. Atij i janë kërkuar deklarime për episodet ku flet për trafik hashashi, sikurse blerja e 20 kilogramëve kanabis, si dhe plani për ta transportuar drejt Italisë. Pavarësisht se prokuroria është tepër diskrete për këtë hetim, mësohet se dëshmitari i ka qëndruar të njëjtit version sikurse në rrëfimin e tij publik.
Prokurorët thonë se do të verifikojnë thëniet e dëshmitarit me rrethana të tjera, ndërkohë që edhe Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime, por të regjistruara pa emër, mbi veprën e kallëzimit të rremë. Të dyja këto çështje pritet të bashkohen në një të vetme te Krimet e Rënda.
Për hetimet mbi audioregjistrimin, dëshmitari Albert Veliu ka këmbëngulur se nuk e ka realizuar ai përgjimin. Të hënën, në një shkresë që Top Channel disponon, do të pyeten tre demokratët: Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, me cilësinë e personave që tregojnë rrethana të dobishme për hetimet.
Top Channel