Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka bërë sot një vizitë surprizë në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, në Tiranë, për të uruar nga afër maturantin Lorenc Bushi, i cili ka marrë para pak ditësh medaljen e Bronzit në Olimpiadën e 35-të Ballkanike të Matematikës “BMO 2018”, të zhvilluar në Beograd.
“Falënderim dhe mirënjohje për gjithçka që ke bërë për të bërë Shqipërinë dhe shkollën shqiptare krenare me talentin dhe pasionin tënd për matematikën”, u shpreh Nikolla.
Ministrja Nikolla duke përfituar nga rasti u ka bërë thirrje maturantëve të tjerë të ndjekin studimet e larta për matematikë, për shkenca, për inxhinieri, për teknologji, etj., pasi është patjetër një fushë që gjithmonë ka treg pune e po ashtu edhe për të bërë sukses.
Ekipi shqiptar në Olimpiadën e 35-të Ballkanike të Matematikës ka fituar 1 Medalje Bronzi (Lorenc Bushi) dhe 1 Medalje Nderi (Igli Mlloja).
Lorenc Bushi, maturanti nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” është vlerësuar për të tretën herë radhazi me medalje Bronzi. Medalje Bronzi në Olimpiadën Botërore të Matematikës të zhvilluar në Brazil, në Olimpiadën e 34-t Ballkanike të Matematikës të mbajtur në Ohër të Maqedonisë dhe së fundmi në Olimpiadën e 35-të Ballkanike në Serbi. Së shpejti, pritet që Lorenci të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të radhës në Matematikë.
“Lorenci është i vetmi deri më sot që ka arritur të marrë tri medalje bronzi dhe i pari në historinë e olimpiadave të matematikës për Shqipërinë. Të kesh një nxënës si Lorenci, një kënaqësi shumë e rrallë, për mësuesit, nxënësit dhe shkollën.” – deklaroi mësuesi i matematikës, Halit Shehu.
Top Channel