Meghan, drejt altarit me vjehrrin. Britania, nën ethet e dasmës mbretërore

18/05/2018 12:11

Përgatitjet e dasmës së vitit janë në fazën e tyre përfundimtare. Të shtunën, Princi Harry i Britanisë dhe amerikania Meghan Markle do të thonë “po” gjatë një ceremonie madhështore, që do të transmetohet drejtpërdrejt në mbarë botën.

Lidhja e djalit të vogël të Dianës me 37-vjeçaren racëpërzierë e të martuar një herë më parë është përshkruar si “novatore”, e madje edhe si “revolucion kulturor”.

Por, Meghani do të hedhë edhe një tjetër hap të paprecedentë për një nuse në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo do të zbresë drejt altarit vetëm, e shoqëruar në fillimin e procesionit nga shoqërueset e veta, ndërsa një pjesë të rrugës do ta përshkojë në krah të vjehrrit të ardhshëm, Princit Charles.

Kjo është një detyrë, e cila normalisht i takon babait të nuses, por i ati i Markle, Thomas, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër dhe nuk mund të jetë i pranishëm.

Kur t’i afrohet Harryt, Meghan do të jetë sërish vetëm. Plani është krejtësisht ide e saj dhe duket se iu pëlqen të gjitha palëve. Vendimi po interpretohet gjithashtu si dëshirë e ish-aktores për t’u shfaqur si një grua e fortë dhe e pavarur, e cila është e përgatitur njëkohësisht të sfidojë rregullat mbretërore.

Nëna e Markle, Doria Ragland, do ta shoqërojë të bijën drejt kishës së Shën George në Windsor. Ragland do të takohet gjatë ditës edhe me mbretëreshën, në kështjellën Windsor, shoqëruar nga Meghan dhe Princi Harry. Ajo është takuar më herët me Princin Charles dhe Princin William.

Tashmë duket se gjithçka është gati për ditën e madhe dhe ekspertët shpresojnë që ngjarjet e së shtunës të ndiqen nga një audiencë botërore prej mbi dy miliardë shikuesish në Europë, Amerikë, Afrikë e pjesë të tjera të botës.

Dasma, që mendohet se do të kushtojë rreth 30 milionë stërlina, më shumë se çdo dasmë tjetër mbretërore deri më tani në Britani, është një dhimbje koke për autoritetet e sigurisë dhe protokollin mbretëror.

Ajo do të mbahet në Windsor, në veri të Londrës, dhe e gjithë zona po i nënshtrohet kontrolleve të rrepta të sigurisë. Në ceremoni do të jenë të ftuar nga publiku rreth 2.500 të ftuar, ndërkohë në mbrëmjen e dasmës, 200 familjarë dhe miq do të jenë pjesëmarrës.

Princi Harry është djali i vogël i Princit Charles dhe ish-Princeshës së ndjerë Diana, e cila u nda tragjikisht nga jeta përpara 21 vitesh gjatë një aksidenti automobilistik në Paris.

Interesi i publikut britanik, por edhe atij botëror është i tejskajshëm edhe për faktin se çifti mbretëror është mjaft i admiruar nga publiku, edhe për kauzat publike të bamirësisë që ata i kanë për zemër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA