Xherdan Shaqiri është i hapur për një kalim nga Stoke City te Tottenham, i joshur nga mundësia për të luajtur në Champions League. Lojtari me origjinë shqiptare e ka provuar më parë suksesin në këtë kompeticion kur luante te Bayern në vitin 2013 dhe mezi po pret të rikthehet aty.
Dhe sikur ta kishte parashikuar që Stoke do të binte në kategorinë e dytë, Shaqiri ka përfshirë në kontratën me klubin anglez një klauzolë se mund të largohet për 12 milionë paund në një rast të tillë. Një shumë kjo që çdo klub i Premier League do të ishte i gatshëm të paguante.
“The Sun” shkruan se përveç Tottenham, edhe West Ham, Everton dhe Crystal Palace janë të interesuar për lojtarin e kombëtares së Zvicrës, por ai do të zgjidhte pa shumë dyshime skuadrën e Mauricio Pochettinos.
“Është e rëndësishme për mua që të gjej një klub ku trajneri dhe drejtuesit të shprehin interes për mua. Do të ishte më mirë nëse ky klub luan në Europë. Synimi i çdo futbollisti është të luajë në Champions League”, thotë vetë 26-vjeçari. “E falenderoj Stoken pasi këtu kam arritur të përshtatem me kampionatin anglez dhe klubi më mbështeti edhe kur gjërat nuk shkonin mirë. Kam mësuar edhe të mbroj dhe jam rritur shumë si futbollist dhe si njeri”.
Në janar Shaqiri pati një ofertë nga Roma, të cilën e refuzoi. “Nuk kam përvojë të mirë nga transferimi tek Interi në janar, për më tepër që doja të ndihmoja Stoken të arrinte synimet e veta. Por Serie A mbetet një kampionat tërheqës. Lojtarët e mirë kalojnë atje çdo vit, kështu që nuk përjashtoj asgjë”.
Top Channel