Titulli i katërt kampion dhe sezoni i katërt radhazi që e mbyll me dy trofe te Juventus. Dyshimet për qëndrimin e Masimiliano Alegrit për t’i qëndruar besnik skuadrës bardhezi janë zhdukur pikërisht nga suksesi që ai ka patur në pankinën e “Zonjës së Vjetër”. Në konferencën e fundit për shtyp, tekniku italian bëri një bilanc sezonal dhe konfirmoi atë që pritej.

“Kam një përqindje të lartë të mundësive për të qëndruar te Juventus. Nuk kam patur kurrë dyshime për këtë. Javën e ardhshme do të takohem me drejtuesit për të programuar të ardhmen tonë. Tani duhet të mendojmë për të festuar edhe pse na mungon pjesa më e vogël e mozaikut ideal. Nëse do ruajmë rrjetën të paprekur do të bëhemi skuadra që ka pësuar më pak gola, në krahasim me numrin e ndeshjeve”, tha trajneri i Juventus.

“Ajo që më bën krenar, është se skuadra arriti të fitojë me mua, madje ndonjëherë unë kam kontribuar që ekipi të humbiste. Argëtohem në momentet më të vështira por askush nuk mund të vendosë në diskutim se çfarë kemi bërë në këto vjet, nuk do të ishte objektive. Kur dikush fiton, duhet ta përgëzosh, por në Itali është një edukatë që mungon”, tha Alegri.

Top Channel