Pas Iniestës, një tjetër simbol klubi i jep lamtumirën mes lotësh skuadrës së tij, bëhet fjalë për Gianluigi Buffon, kapitenin legjendar të Juventusit me të cilin fitoi titullin e 7 radhazi kampion të Italisë.
Por cila ishte karriera e portierit 40 vjecar, i konsideruar portieri më i mirë italian i të gjitha kohërave. Gianluigi Buffon bëri debutimin e tij në Serinë A në nëntor të vitin 1995 me Parmën në ndeshjen me Milanin ku rezultoi edhe si lojtari më i mirë në fushë.
Pas 2 vitesh Buffon debutoi dhe me përfaqësuesen italiane në ndeshjen me e vlefshme për Botërorin e 1998 e mbyllur 1-1. Trofetë e parë në karrierë Buffon i ka fituar me Parmën në sezonin 1998/1999. Në atë sezon fitoi Kupën UEFA kur Parma mundi në finale Olimpikun e Marsejës dhe Kupën e Italisë ndaj Fiorentinës në finale.
Në 2001 u bë hapi i madh, kalimi nga Parma te Juventusi ku më pas u shndërrua në simbolin e kësaj skuadre. Me bardhezinjtë arriti të fitojë 9 tituj kampionë, 2 nga të cilët iu hoqën, 6 Superkupa të Italisë e 5 kupa të Italisë.
Kulmi i karrierës së tij ishte fitimi i botërorit 2006 në Gjermani me përfaqësuesen italiane që mundi Francën në finale me penallti. Dhe e gjithë kjo erdhi pas skandalit të Calciopolit me bardhezinjtë që u dënuan me zbritje në Serinë B me 9 pikë penalizim me Buffon që së bashku me Del Piero, Trezegeut, Nedved, Thuram dhe Camoranesin preferuan që të qëndronin.
Në vitin 2012 Juventusi u kthye te fitoret ndërkohë që u bë edhe me shtëpi të re, Juventus Stadium që tani quhet Allianz Stadium. Që nga ai vit bardhezinjtë nuk u ndalën më madje vendosën edhe një rekord për Serinë A, me 7 tituj të fituar radhazi. I vetmi peng i Buffon për karrierën e tij është Liga e Kampioneve që nuk ka mundur ta fitojë asnjëherë.
Iu afrua triumfit në 2015, por u mund në finalen e Berlinit nga Barcelona 3-1. Ndërsa në 2017 erdhi një tjetër humbje në finalen e këtij kompeticioni, ndaj një tjetre skuadre Spanjolle, Real Madrid 4-1 në Cardiff.
Ndeshja e tij e fundit në Evropë do të mbetet ajo e 11 prillit në Bernabeu e mbyllur jo shumë mirë për kapitenin e Zonjës së Vjetër, me një karton të kuq e me një zemërim të fortë kundrejt arbitrit.
Top Channel