Shkencëtarët kanë nisur të besojnë akoma më fort se forma jashtëtokësore mund të gjenden brenda vetë sistemit tonë diellor.
Sonda Galileo e hedhur nga NASA për të vëzhguar Jupiterin dhe satelitët e tij natyrorë, ka dërguar në Tokë të dhëna mjaft interesante.
NASA thotë se Galileo ka arritur të kapë momentin e shpërthimit të ujit nga nënsipërfaqja e akullt e satelitit Europa të Jupiterit. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa ka arritur në një lartësi prej 160 kilometrash.
Akulli që mbulon këtë satelit ka një trashësi prej mijëra kilometrash, por nën të, studiuesit e NASA-s dhe ESA-s (Agjencia Hapësinore Europiane) janë të bindur që gjendet ujë në formë të lëngët, që shpërthen hera-herës në formë shatërvanesh gjigante si pasojë e trysnisë së madhe.
Sonda Galileo orbitoi për 8 vite rreth Jupiterit. Distanca më e afërt me satelitin Europa u regjistrua në vitin 1997. Të dhënat e siguruara nga ky kalim u dërguan në Tokë disa vite më vonë dhe shkencëtarëve iu deshën po disa vite të tjera që të analizojnë këto të dhëna dhe të dalin në përfundimin se në këtë satelit të Jupiterit ka shatërvane uji.
E ku ka ujë, ka edhe jetë dhe NASA e ESA janë duke studiuar së bashku mundësinë e dërgimit të një sonde, që këtë herë do të ulet në sipërfaqen e akullt të satelitit të Jupiterit dhe të gjurmojë për shenja jetë jashtëtokësore.
Top Channel