Përgatitjet për të pritur Izraelin. Një përfaqësi mbërrin në Tiranë për bisedime

15/05/2018 15:33

Pas eliminimit nga eliminatoret e Kampionatit Botëror, Shqipëria do të debutojë në vjeshtën e këtij viti në aktivitetin më të ri të UEFA-s, të quajtur Liga e Kombeve.

Ndeshjen e parë kuqezinjtë do ta luajnë në shtëpi, përballë një kudërshtari problematik, më tepër sesa në aspektin sportiv, në atë organizativ, si Izraeli. Kjo ndeshje do të jetë e para për eliminatoret tona, ajo do të zhvillohet më 7 shtator të këtij viti dhe do të luhet sërish në “Elbasan Arena”, një zgjedhje kjo me sa duket e skuadrës mike, e cila për arsye sigurie ka preferuar stadiumin e Elbasanit, ashtu si edhe në takimin e nëntorit të vitit 2016. Ka qenë pikërisht ajo ndeshje që solli edhe prishjen e marrëdhënieve të tifozerisë me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Policisë. Kjo e fundit, e vënë e gjitha në dispozicion të kërkesave të sigurisë të ekpit të Izraelit.

Që nga ajo ndeshje, kombëtares shqiptare i mungon edhe grupimi më i madh dhe i organizuar i tifozerisë, siç janë “Tifozët Kuqezi” për ndeshjet në shtëpi. Gjithsesi, në prag të këtij vendimi zyrtar për zhvillimin e ndeshjes në “Elbasan Arena”, Federata Shqiptare e Futbollit ka kërkuar të rikthejë bashkëpunimin me këtë grup tifozerie, duke organizuar një mbledhje në prani edhe të përfaqësuesëve të Policisë së Shtetit dhe duke marrë garancinë se ky grupim tifozësh do të rikthehet dhe se policia do të jetë më e kujdesshme në trajtimin e tifozëve përgjatë kontrolleve përpara dhe në hyrjen e stadiumeve.

Ditën e hënë, në Tiranë kanë qenë të pranishëm dhe disa përfaqësues nga Izraeli, për një takim privat, pa saktësuar nëse ishin pjesë e Federatës së Izraelit apo të sigurisë.

Ndërkohë, ndeshja tjetër, ajo mes Shqipërisë dhe Skocisë, që është skuadra tjetër në grup në Ligën e Kombeve, do të luhet në “Loro Boriçi” të Shkodrës, më 17 nëntor.

Përpara këtyre ndeshjeve zyrtare, Shqipëria nga fundi i muajit maj dhe deri në fillim të muajit qershor ka planifikuar një grumbullim në Zvicër, ku do të zhvillojë dy miqësore. Më 29 maj, konfirmohet ndeshja me Kosovën dhe më 3 qershor kundër Ukrainës.

Top Channel