Finalja e Perëndimit në NBA, Golden State fiton ndeshjen e parë ndaj Houston (Video)

15/05/2018 14:15

Golden State fiton aktin e parë në finalen e Konferencës së Perëndimit me Houston Rockets.

Në “Toyota Center”, skuadra kampione në fuqi e NBA iu imponua teksanëve, duke i mposhtur përballë publikut të tyre me rezultatin 119-106. Houston dominoi gjatë gjithë kohës Konferencën e Perëndimit në sezonin e rregullt, por kur bëhet fjalë për finalen e kësaj konference, gjërat ndryshojnë dhe Warriors u kujton menjëherë të gjithëve se si ka mundur që të dominojë gjatë 3 viteve të fundit.

Ndeshja e parë finale me Rockets ishte argëtuese, duke i realizuar pritshmëritë. Fillimi ishte më i mirë për Houston, për të cilin Harden shënoi vazhdimisht. Në fundin e pjesës së parë ai ishte në kuotën e 24 pikëve. Por, Golden State me kalimin e minutave filloi të tregojë forcën e saj falë Durant, Thompson e Stephen Curry dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes me barazimin 56-56.

Në periodën e tretë, Golden State rriti ritmin e lojës duke marrë edhe arratinë në rezultat. Harden, i ndihmuar edhe nga Chris Paul, bënë gjithçka mundën që Houston të përballojë lojën e Warriors, por të besuarit e Steve Kerr nuk gabuan më asgjë, duke marrë fitoren e parë në këtë seri finalesh ndaj Rockets, së cilës nuk i shërbyen 41 pikët e James Harden.

Në krahun tjetër, te Golden State, Kevin Durant shënoi 37 pikë, ndërsa Klay Thompson e mbylli sfidën me 28 pikë.

Ndeshja e dytë mes Houston e Golden State do të luhet mbrëmjen e së mërkurës, sërish në “Toyota Center”.

Top Channel