Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi këtë të hënë të pranojë kërkesën e New Jerseyt për lejimin e basteve sportive në kazinotë dhe pistat e saj të garave me kuaj, duke i dhënë fund kështu ndalimit që i ishte vendosur industrisë 100 miliardë dollarëshe, e duke goditur gjithashtu kufizimet për të vendosur baste jashtë Nevadës.
“Legalizimi i basteve sportive kërkon një zgjedhje të rëndësishme politike, por zgjedhja nuk është e jona”, njoftoi Gjykata Supreme. “Kongresi mund ta rregullojë drejtpërdrejt bastvënien, e nëse ai zgjedh të mos e bëjë këtë, atëherë çdo shtet është i lirë të veprojë në liri të plotë”.
Vendimi i Supremes lejon plot 25 shtete të veprojnë mbi bazën e tij.
Çështja juridike u ngrit mbi bazën e diskutimit nëse qeveria federale e kishte apo jo të drejtën për të komanduar në mënyrë të pabarabartë fuqitë rregullatore të shteteve amerikane.
Një gjykatë apeli refuzoi ligjin e New Jerseyt në vitin 2016, duke vendosur se statuti shkelte Aktin federal për Mbrojtjen e Sporteve Profesioniste dhe Amatore të vitit 1992 (PASPA), që ndalon shtetet të autorizojnë bastet sportive.
Përpjekja për ta përfshirë edhe New Jerseyn në listën e shteteve me bastvënie të ligjërueshme nisi vite më parë nga ish-guvernatori Chris Christie dhe ligjvënës të tjerë, pikërisht kur shteti miratoi një referendum jo detyrues ligjërisht që lejonte bastet sportive në vitin 2011.
Shumë federata të sporteve profesioniste të Amerikës së Veriut u kundërpërgjigjën me ngritjen e padive ndaj shtetit, vitin pasardhës pasi Christie nënshkroi në ligj rezultatin e referendumit, pra në vitin 2012, por edhe në vitin 2014.
Sindikatat e sportistëve kanë kërkuar përfshirjen në këtë çështje, mes shqetësimeve për trukim të ndeshjeve të ndryshme.
Gjithsesi, Kongresi ia dha mundësinë New Jerseyt të bëhej shteti i pestë që lejon lojërat e fatit, përpara se të vendoste ndalimin, por shteti në fjalë dështoi të miratonte një ligj për lojërat e fatit në kohën e duhur.
Aktualisht, Nevada është i vetmi shtet që lejon bastvënien mbi një ndeshje të vetme. Por, Nevada dhe Louisiana janë të vetmet shtete që kanë gjithashtu të ligjëruara lojërat e fatit, si kazinotë.
“PASPA” u ndalon 46 shteteve të autorizojnë bastet sportive. Nevada dhe tri shtete të tjera; Delaware, Oregoni dhe Montana; bëjnë përjashtim nga “PASPA”, për shkak se ato tashmë i kanë miratuar paktikat e bastvënies.
Top Channel