Nën tingujt e himnit amerikan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hapën Ambasadën e tyre në Jeruzalem, një çështje mjaft e nxehtë që ka ndarë komunitetin ndërkombëtar.
Përfaqësues të lartë të Amerikës, mes të cilëve vajza e Trumpit, Ivanka, dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, morën pjesë në ceremoni, si për të treguar vendosmërinë amerikane për këtë hap.
Presidenti Donald Trump mori gjithashtu pjesë në ceremoni përmes një videokonference, teksa tha se hapja e Ambasadës në Jeruzalem pritej prej kohësh.
“Izraeli është një komb sovran, me të drejtën për të përcaktuar kryeqytetin e tij. Por, për shumë vite ne dështuam që të njohim atë që ishte e qartë”, tha Trump.
Mesazhi i Trumpit u pasua nga zbulimi i vulës së Ambasadës amerikane, ceremoni e udhëhequr nga Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e afërt e presidentit amerikan. Fjalimi në podium ishte rezervuar për një tjetër person të familjes së madhe presidenciale.
“Kur presidenti Trump bën një premtim, ai e mban. I treguam botës se mund të keni besim te Shtetet e Bashkuara. Ne qëndrojmë përkrah miqve dhe aleatëve”, tha Kushner.
Kushner foli edhe për paktin, sipas tij të rrezikshëm dhe të gabuar, me Iranin, që Trump e braktisi vetëm pak ditë më parë, duke marrë duartrokitje nga turma.
“Kjo është një ditë e lavdishme, është historike. Presidenti Trump, duke njohur historinë ju keni shkruar historinë. Që të gjithë ne ju jemi mirënjohës. Ne jemi këtu dhe nuk do të shkojmë asgjëkundi”, tha Netanyahu.
Ambasada nis punën brenda godinës së Konsullatës amerikane në Jeruzalem dhe një vend tjetër do të gjendet më vonë, kur të vijë pjesa tjetër e zyrtarëve të Ambasadës nga Tel Avivi. Jo pa arsye, ceremonia u bën më shpejt nga sa pritej, pasi përkoi me 70-vjetorin e krijimit të shtetit të Izraelit.
Top Channel