Guerrino Lovato ka prodhuar për vite me radhë maskat e famshme veneciane, mes tyre edhe ato që u përdorën në filmin “Eyes Wide Shut”.
Në filmin hollivudian, që ndezi polemika të shumta 2 dekada më parë, për temën tabu që preku, janë përdorur 15 maska të mjeshtrit italian Guerrino Lovato.
“Ky është filmi aq i famshëm i të madhit Kubrik, që unë nuk e kam njohur. Kur pashë filmin, pashë se si i kishin përdorur maskat e mia. Jam i nderuar që maska e parë fare me të cilën nis filmi është e imja. Janë 15 maska të punishtes sime, por ky film ka edhe të shumë punishteve të tjera. Kubrik është një gjeni, puna ime është shumë minimale, krahasuar me tijën në të gjitha këndvështrimet”, thotë ai.
Guerrino nisi t’i dedikohej pasionit të tij për maska në vitin 1983, kur çeli punishten e tij në Venezia, e që prej asaj dite ka krijuar rreth 500 të tilla, ku më e shtrenjta kushton 3.000 euro.
Ai tregon se tregu i maskave është i vështirë momentalisht, kur prodhimi plastik ka pushtuar gjithçka, ndaj 8 vite më parë e mbylli punishten e tij, për t’iu dedikuar skulpturave. Çfarë fshihet pas një maske të prodhuar nga duart e tij?
“Kjo është maska e një Hëne, një inspirim francez. E bëra 40 vite më parë për një spektakël. Është bërë nga letra e shtypur. Mrekullia e punës sime qëndron në faktin se materialet e përdorura janë shumë të varfra, nuk kushtojnë asgjë”, shpjegon ai.
Lovato vjen për herë të parë në Shqipëri, me ftesë të professor Vladimir Myrtezajt për një leksion të hapur me studentët e Akademisë së Arteve.
Top Channel