Ibrahim Kodra “udhëton” ne Shkup. Mbi 70 vepra të rralla, shumica e tyre të paekspozuara më parë, kanë zënë vend që nga e shtuna në ambientet e galerisë Kombëtare” Cifte Hammam” në Maqedoni.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së postkubistit të njohur shqiptar, kjo ekspozitë erdhi si bashkëpunim e Galeria Kombëtare të Shkupit, Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Fondacionit Ibrahim Kodra, në Milano.

Titullohet “100 vjet nga lindja e Ibrahim Kodrës”, me punime nga viti 1942 deri në vitin 2005. Ekspozohet aty edhe vepra e e fundit e piktorit shqiptar, e cila mbeti e papërfunduar.

Përfshihen në të “Shqipëria Fantastike”, vepër të cilën piktori e realizoi ne vitin 1997.

Në Shqipëri pak kohë më parë, pikërisht në 22 prill në Durrës u çel salla muzeale “Ibrahim Kodra”, në aktivitet modest për ditëlindjen e maestros.

Ndërkaq në Shkup përgatitjet për këtë ekspozitë kanë nisur rreth një vit më parë.

Në të vërtetë, duhet theksuar, se në Shqipëri më shumë është folur për varrimin dhe zhvarrimin e tij, se sa për veprën dhe madhështinë e veprave të tij. Nuk dihet nëse edhe në Tiranë do të realizohet ndonjë ekspozitë për piktorin e njohur shqiptar.

Ekspozita në Shkup do të qëndrojë e hapur rreth një muaj. Deri në 12 qershor. Deri atëherë mos mungoni të shihni vlerat e rralla, që artisti na përcjell nëpërmjet pikturave të tij.

Top Channel