Këtë të dielë luhen ndeshjet e javës së 34-t të Kategorisë Superiore, kampionat që ka ende verdikte për të dhënë.

Me çështje e titullit kampion tashmë të arkivuar në favor të Skënderbeut, e gjithë vëmendja do të jetë pikërisht te lufta për mbijetesë dhe zonën e kupave europiane.

Gara për qëndrimin në Superiore është më se e hapur, pasi janë 3 skuadra që rrezikojnë: Teuta, Kamza e Vllaznia.

Skuadra durrsake do të luajë pikërisht ndaj Skënderbeut në Korçë. Trajneri Daja do të aktivizojë ata që kanë luajtur më pak gjatë sezonit, ndërsa Teuta nuk ka se çfarë të humbasë dhe do të përpiqet që të marrë 3 pikë të tjera të arta.

Kamza do të presë Flamurtarin, në një sfidë ku do të kërkojë të mbajë gjallë shpresat për një qëndrim në Superiore, ndërkohë që skuadra vlonjate mendon për një vend në zonën europiane, ashtu sikurse edhe Partizani, të cilin e pret një ndeshje delikate me Vllazninë.

“Të kuqtë” do të kenë në këtë ndeshje mbështetjen e tifozëve, duke qenë se kanë vendosur të shlyejnë financiarisht dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës.

Luftëtari-Kukësi është një tjetër ndeshje ku ka objektiva në lojë. Bëhet fjalë për skuadrën gjirokastrite, që kërkon të mbyllë njëherë e mirë çështjen e pjesëmarrjes në kompeticionet europiane, ndërsa Kukësi është i sigurtë në këtë pikë dhe kërkon të blindojë vendin e dytë, për të pare më pas se çfarë do të ndodhë me vendimin për Skënderbeun.

Sfida tjetër e kësaj jave në Superiore është ajo mes Laçit e Lushnjes, që në letër është e lehtë për kurbinasit. Ndeshjet e kësaj jave të Kategorisë Superiore do të luhen të gjitha në orën 17:00.

Top Channel