Portrete njerëzish e në të njëjtën kohë kafshësh. Autoportete të një lloji të veçantë… Figura njerëzore të deformuara, jo për të treguar së jashtmi një njeri dhe defektet e tij, por për të shpërfaqur botën e tij të brendshme.
Pas gati 3 dekadash që është vendosur në Nju Jork, artisti Fabio Thaçi vjen në vendlindje për të sjellë një cikël portretesh në të parën ekspozitë vetjake.
“Kur je përballë një portreti të vërtetë, gjithmonë mundohesh të lexosh psikologjinë e personit që ke përballë, çfarë karakteri ka dhe çfarë mendon në momentin që t’i bashkëbisedon. Portreti është më tepër shkas. Unë e kam gjetur si pretekst për të shprehur gjëra të ndryshme”, tha Fabio Thaçi, piktor.
Në sytë e këtyre personazheve anonimë ndihet ankthi, kurioziteti, frika e dhimbja, emocione njerëzore që artisti i ndërthur me mjete moderne të ekspresionizmit.
“Kam nja dy piktura që ngjajnë si mumjet e Egjiptit. Personi do të shprehet dhe i bllokohet diçka. Shpeshherë gjatë jetës, gjatë ditës, ti do të thuash një gjë dhe nuk e thua dot deri në fund”, shtoi më tej ai.
Autor i Muzeut “Onufri” në Berat dhe prej vitesh restaurator, Thaçi nuk mund t’i shmangej ndikimit fetar në pikturën e tij.
“Kjo piktura ishte një person që e njihja dhe e pëlqeja shumë. Gjithmonë më dukej një njeri shumë i pastër, i drejtë, ndaj dhe e vura këtë që i takon një aureole në kokë”, u shpreh ai.
Portretet e Thaçit do të ekspozohen deri më 31 maj në Galerinë “Kalo”.
Top Channel