Partizani “zhyt” Vllazninë! Shkodranëve u duhet mrekullia për mbijetesën

13/05/2018 19:06

Partizani “zhyti” Vllazninë në zonën e ftohtë dhe mbetet në një vend që e çon në Kupat e Europës, dy javë nga fundi i Kategorisë Superiore.

Një gol i Asanit në pjesën e parë dhe një tjetër i Prognit në të dytën i dhanë tri pikë me mjaft vlerë “Të kuqëve” në betejën me Laçin, që mposhti 3-1 Lushnjen dhe Luftëtarin, që barazoi 2-2 me Kukësin, për zonën e Europës.

Ndërkohë, Skënderbeu i shpallur kampion toleroi ndaj Teutës dhe në fushë u hodhën lojtarët që ishin aktivizuar më pak këtë sezon. Durrsakët përfituan maksimalisht nga kjo dhe u larguan prej Korçës me tri pikë me peshë në luftën e mbijetesës falë fitores 1-3.

Golat për miqtë u shënuan nga Shkalla, Çyrbja dhe Amadu, ndërsa Soue shënoi golin e nderit për korçarët në minutën e 89.

Edhe Kamza mori tri pikët të plota pasi mposhti 1-0 Flamurtarin, duke u ngjitur në kuotën e 43 pikëve, po aq sa Teuta.

Ndërkohë, në kuotën e 38 pikëve, Vllaznia do të synojë mrekullinë për të marrë pikët maksimale në dy javët e mbetura, ku sfidat nuk janë aspakt të lehta, fillimisht pret Kukësin e më pas luan në transfertë ndaj Skënderbeut.

Por, edhe 6 pikët nga këto dy takime nuk mjaftojnë, pasi shkodranëve u duhet që njëra mes Kamzës dhe Teutës të humbasë të dyja takimet e mbetura. Kamza pret në javën e parafundit Laçin dhe në atë të fundit luan në transfertë ndaj Partizanit.

Teuta nga ana tjetër ka një kalendar më të thjeshtë. Pret Lushnjen në Durrës dhe në fund luan në transfertë ndaj Laçit.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel