“Kurrë në Serinë B”, ekipet e mbetura pas rrëzimit të Hamburgut

13/05/2018 13:11

Mirupafshim Bundesligë! Pas thuajse 55 vitesh është shembur edhe “muri” i Hamburgut. Klubi nga qyteti portual i veriut të Gjermanisë nuk e kishte njohur kurrë më parë rënien nga kategoria, që prej vitit 1963 kur “lindi” kategoria elitë e futbollit gjerman, ajo që sot e njohim si Bundesliga.

Por, prej këtij viti, tifozët e Hamburgut, të cilët manifestuan mes irritimit dhe dhunës fitoren e padobishme 2-1 ndaj Borussia M’Gladbach, do t’iu duhet të merren edhe me ngacmimet e “rivalëve” të vjetër, atyre ndaj të cilëve mburreshin se “nuk kishin qenë ndonjëherë në kategorinë e dytë”.

Por cilët janë ekipet që kanë mbijetuar në elitat respektive të futbollit të vendeve të tyre?

Mes 5 kampionateve kryesore të Europës (Serie A, La Liga, Premier League, Ligue 1 dhe Bundesliga) kanë mbetur vetëm 4 skuadra, të cilat janë Interi, Barcelona, Reali i Madridit dhe Athletic Bilbao. Kjo do të thotë se, pas Anglisë dhe Francës, edhe Gjermania nuk e ka më një ekip të parrëzuar ndonjëherë në divizionet inferiore.

Interi i themeluar në vitin 1908 është e vetmja skuadër italiane që ka marrë pjesë në të gjitha edicionet e Serie A. Gjatë historisë zikaltër janë fituar 18 tituj kampionë, 7 Kupa Italie, 5 Superkupa Italie, 3 Champions, dy Kupa UEFA, dy Kupa Interkontinentale dhe një Botëror për Klube.

Në Spanjë, Barça – me 25 tituj të fituar në vendin e saj – Reali, me 33 kampionate të fituara dhe 19 Kupa të Spanjës, përveç 12 Championsve, si dhe Athletic Bilbao, me 8 tituj dhe 23 Kupa Mbreti, janë të pamposhturit e elitës.

Në Portugali, ato që kanë rezistuar përgjatë viteve janë Sportingu i Lisbonës, i themeluar në vitin 1902 me 18 kampionate të fituara; Porto me 28 kampionate dhe Benfika me 36 tituj kampionë.

Nëse do t’i shtrinim statistikat në mbarë globin, Colo Colo në Kili; Boca Juniors në Argjentinë; Cruzeiro, Flamengo, Santos dhe Sao Paulo në Brazil; Barcelona Guayaquil në Ekuador; Club National dhe Penarol në Uruguaji; Aberdeen dhe Celtic në Skoci; Ajaksi, Feyenoord, PSV-ja në Holandë; Besiktasi, Fenerbahçe dhe Galatasaray në Turqi; si dhe Olympiacos, Panathinaikos dhe PAOK-u i Selanikut në Greqi, janë ekipet që nuk kanë rënë asnjëherë nga kategoria e elitarëve të futbollit.

FOTO GALERI
2/27
Barcelona

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA