Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, me qëllim shtimin e aktiviteteve kulturore në kryeqytet. Sipas kryebashkiakut Veliaj, vëmendja ndaj aktiviteteve kulturore është po aq e rëndësishme sa ajo ndaj infrastrukturës, apo ajo ndaj sektorëve të tjerë.

“Më vjen mirë që për herë të parë, kombinimi i Ministrisë së Kulturës me Bashkinë e Tiranës ka sjellë jo vetëm një financim të paprecedentë ndonjëherë për artin dhe kulturën në Shqipëri, ku thuajse financojmë 99% të kërkesave që na vijnë, por kjo automatikisht ka shumëfishuar ofertat. Nëse më parë njerëzit mezi prisnin një aktivitet në muaj, sot ka dilema për 3-4 aktivitete në ditë. Kjo është një ditë e mirë për Tiranën dhe për Shqipërinë”, tha Veliaj.

Memorandumi, sipas Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, do t’u japë më shumë mundësi artistëve të pavarur.

“Qëllimi i projektit është të vendosë bashkëpunimin institucional, siç kemi në këtë rast Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, e gjithashtu të sjellë në vëmendje dhe rritur ndërgjegjësimin për artet publike në qytet, si dhe për të angazhuar komunitetet për të krijuar një qytet edhe më të bukur dhe të këndshëm me pjesëmarrje të të gjithë qytetarëve. Në fakt, me Bashkinë e Tiranës kemi dy vite që po japim modelin më të mirë sesi dy donatorët më të rëndësishëm, por edhe politikbërësit kulturorë, pra Ministria e Kulturës dhe Bashkia e kryeqytetit, janë duke i dhënë një stimul shumë të madh skenës së pavarur”, tha Mirela Kumbaro.

Disa nga projektet më të mëdha kulturore dhe artistike të këtyre dy institucioneve do të jenë ato të fillimqershorit, kur në kryeqytet do të vijnë për publikun emra të njohur të muzikës ndërkombëtare, si Ermal Meta dhe Rita Ora.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA