Humbja me Sassuolon, Spalletti: Peshon shumë, lojtarët u dëshpëruan!

13/05/2018 12:40

Politano dhe Berardi ishin ndëshkuesit e Interit në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro”, teksa ndihmuan skuadrën e Sassuolos të fitojë 2-1 ndaj zikaltërve.

Më shumë sesa fitorja e miqve, kjo ishte një humbje që i kushton shtrenjtë skuadrës së Spallettit për sa i përket objektivit për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm, duke qenë se Roma e siguroi edhe matematikisht pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm europiane për klube.

Ndeshja me Sassuolon ishte në njëfarë mënyre pasqyra e sezonit të Interit, një skuadër që ka në përbërje futbollistë të rëndësishëm, por që nuk është e qëndrueshme në paraqitjet e saj. Por, ajo që shqetëson më shumë drejtuesit e klubit zikaltër është fakti se Interi ka gabuar shumë në momentet më vendimtare, diçka që përbën një problem në aspektin psikologjik.

Vet trajneri Spalletti është shfaqur i zhgënjyer për rezultatin e skuadrës së tij në sfidën me Sassuolon. “Kjo humbje peshon shumë, por skuadra bëri një punë të mirë, – tha ai. – Lojtarët u shfaqën të dëshpëruar në dhomat e zhveshjes. Ata dhanë shpirtin në fushën e lojës”.

Shpresa e vetme për Interin është që Crotone të frenojë Lazion qoftë edhe në barazim këtë të dielë, ndërsa në javën e fundit, ndeshjen e drejtpërdrejtë mes Lazios e Interit ta fitojnë zikaltrit, pasi takimi i parë ka përfunduar në barazim pa gola.

Top Channel