Oferta, Seuli: E rindërtojmë ne Korenë e Veriut

12/05/2018 13:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë ndihmën e tyre për rindërtimin e Koresë së Veriut nëse vendi i izoluar komunist pranon të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.

Vetë sekretari i shtetit Mike Pompeo e pohoi në një konferencë shtypi se Uashingtoni është i përgatitur të bashkëpunojë me Penianin për arritjen e një prosperiteti të njëjtë me atë të “miqve të Koresë së Jugut”.

Komentet e shefit të diplomacisë amerikane, vijnë pas kthimit të tij nga kryeqyteti koreano-verior ku pati siç thotë, bisedime premtuese me udhëheqësin Kim Jong un. Kim dhe Donald Trump do të takohen në Singapor në 12 qershor.

Vendimi për të ulur në një tryezë dy liderët që frikësuan botën pak kohë më parë me kërcënimet luftëndjellëse, vjen në vazhdën e bisedimeve historike mes drejtuesve të Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut në muajin Prill.

“Nëse udhëheqësi Kim zgjedh rrugën e drejtë, popullin korean e pret një e ardhme e mbushur me paqe e begati”, pretendon Pompeo, i cili e nxiti nga ana tjetër Penianin të ndërmarrë veprime të guximshme për një çarmatosje të shpejtë atomike.

Ndihma e SHBA-se do të vijë sidoqoftë vetëm pas një programi të fuqishëm verifikimi nga Shtetet e Bashkuara dhe kombe të tjera. Gjatë vizitës surprize të Pompeos këtë javë në vendin komunist, autoritetet atje liruan tre të burgosur amerikanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA