Fjalimi i votëbesimit në Kuvend i Vikor Orbanit ishte një përvijim i retorikës së ashpër kundër emigracionit, që Kryeministri hungarez e ndezi në fushatën zgjedhore.

Ai thotë se rendit të demokracisë liberale po i vjen fundi dhe është koha që në shekullin e 21-të ky rend të zëvendësohet me atë të demokracisë konservatore.

“Kjo garanton lirinë dhe sigurinë e njerëzve”, tha Orban.

Kryeministri hungarez i quan “ëndrra me sy hapur” idetë e një Europe shtet federal, ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BE duhet të heqë dorë nga ëndrrat e çmendura të Shteteve të Bashkuara të Europës dhe duhet t’i kthehet realitetit”, vijoi ai.

Si hap të parë, Orban këshillon një politike të përbashkët kundër emigracionit.

Sa i takon ekonomisë, Kryeministri hungarez u zotua se brenda pak më shumë se një dekade, vendi i tij do të renditet mes pesë vendeve më cilësinë më të mirë të jetesës në Bashkimin Europian. Afati i vendosur prej tij është 2030.

“Deri atëherë Hungaria do të jetë ndër pesë vendet më të mira në BE. Shumë mund ta quajnë këtë premtim sot si një lajthitje, por ne duhet të bëjmë të pamundurën, sepse të mundurën mund ta bëjnë edhe të tjerët”, vijoi Orban.

Kundërshtarët e akuzojnë Orbanin se fitoi zgjedhjet përmes një retorike në kufijtë e racizmit gjatë fushatës zgjedhore dhe thirrjet kundër George Sorosit. Orban e ka shpallur këtë të fundit armikun numër 1 publik të Hungarisë dhe e akuzon si njeriun që qëndron pas valës së emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Kritika ndaj Viktor Orban ka për qasjen e tij tek sistemi i drejtësisë e akuzohet se po kufizon lirinë e shprehjes dhe të medias.

54-vjeçari Orban u votëbesua për herë të tretë radhazi dhe të katërtën në total si Kryeministër i Hungarisë. Ai mori votën pro të 133 deputetëve të partisë së tij, Fidesz dhe përfaqësuesve të pakicës gjermane. 28 anëtarë të opozitës votuan kundër tij dhe 36 të tjerë abstenuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA