SHBA, sanksione iranianëve. Presionet, pas tërheqjes nga pakti

11/05/2018 08:19

Shtetet e Bashkuara po e shtojnë presionin mbi Iranian, me sanksione ndaj 6 individëve dhe 3 kompanive, që sipas Uashingtonit kanë lidhje me forcën elitë ushtarake të Iranit, rojet revolucionare (Garda Revolucionare).

Këto ndëshkime, sipas Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin shënjestrojnë personat që e kanë furnizuar këtë organizëm me miliona dollarë, duke financuar atë që ai quan “aktiviteti i saj malinj”.

Banka Qendore e Iranit i ka ndihmuar më tej rojet revolucionare të kenë qasje te shumat në dollarë amerikanë përmes një rrjeti këmbimi valuator në shkallë të gjerë.

Që të 6 individët e prekur nga sanksionet janë iranianë. Shtetasit dhe entitet amerikane nuk do të lejohen të bëjnë biznes me ta, pas kësaj lëvizjeje të ndërmarrë në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Masat e reja ndëshkuese erdhën vetëm dy ditë, pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja ndërkombëtare bërthamore me Iranin, e u zotua ta shtonte presionin mbi Republikën Islamike.

Pakti i vitit 2015 e detyronte Iranin ta frenonte ndjeshëm aktivititen bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve gunjëzuese të OKB-së, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Vendimi i Trumpit u përshkrua nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, si një “gabim i rëndë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA