“Irani shkeli vijën e kuqe”, deklaroi kryeministri Beniamin Netanyahu, një ditë pasi shteti hebre mësyu, siç thotë, thuajse të gjitha kapacitetet ushtarake të Republikës Islamike në Siri, pas sulmit me raketa të rojeve revolucionare në Lartësitë Golan.
Në përballjen e tyre më të drejtpërdrejtë deri më tani, dy armiqtë e mëdhenj shkëmbyen zjarr për orë të tëra.
Episodi erdhi në kohën e një përshkallëzimi të ndjeshëm të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, rivalë të hershëm për ndikim rajonal.
Netanyahu ia faturon fajin e konfrontimit regjimit të ajatollahëve dhe e justifikon si të përshtatshme lëvizjen e vendit të tij.
Mbrëmjen e së enjtes, shefi i ekzekutivit izraelit foli në telefon me kryeministren britanike, Theresa May, një bisedë e përqëndruar sipas tij tek agresioni iranian, zhvillimet në rajon dhe situata në Siri.
May, nga sa pohon Netanyahu, e dënoi qëndrimin e Iranit dhe ripohoi të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
Ndryshe e përcjell bisedën Londra zyrtare, sipas së cilës, May u ka bërë thirrje të dyja palëve për qetësi. Kësaj linje qëndrimi i kanë bërë jehonë edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, të cilat nxorën një deklaratë ku kërkohet frenim nga çdo përshkallëzim që mund ta minojë edhe më shumë stabilitetin në rajon.
Izraeli thotë se mbi 20 raketa të forcave iraniane u lëshuan drejt pozicioneve të tij në Lartësitë Golan mbrëmjen e së mërkurës, një pjesë e të cilave u interceptuan nga sistemi “Iron Dome”.
Top Channel