Me zbarkimin e Zlatan Ibrahimoviç në kampionatin amerikan të futbollit (MLS), dukej se “toka e premtuar” do të kishte sulmuesin suedez si më të paguarin, të paktën në futboll.
Por, në një sy të shpejtë të bilanceve zyrtare del se është talenti italian, Sebastian Giovinco, ai që vlerësohet më shumë në aspektin financiar në “MLS”.
Ish-sulmuesi i Juventusit, që luan te Toronto që prej vitit 2015, ka një kontratë me skuadrën kanadeze që i garanton 7 milionë dollarë, falë edhe bonuseve të majme. Shpikjet e tij nga goditjet e dënimit i kanë sjellë jo pak të ardhura skuadrës kanadeze, përmes sponsorëve dhe publiciteteve, e duket se investimi, që ishte një bast i rrezikshëm para 3 vitesh, po jep frytet e tij.
Zlatan Ibrahimoviç ka lënë mbresa te tifozët amerikanë që në debutimin e tij, me gola spektakolarë, por në listën e më të paguarve është jashtë 5 të parëve.
Në vendin e dytë, në klasifikimin e futbollistëve më të vlerësuar financiarisht, është lojtari tjetër i Torontos, Michael Bradley, ndërsa pas tij renditet sulmuesi i Los Angeles, Carlos Vela, lojtar që lë jashtë podiumit gjermanin Bastian Schweinsteiger.
Top Channel