Klubet që synojnë pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s duhet të plotësonin kriteret administrative, infrastrukturore, ligjore dhe sportive brenda datës 28 shkurt të këtij viti; si dhe kriterin financiar brenda datës 31 mars, që përkon me mbylljen e vitit kalendarik ekonomik.
Por, afrimi i fundit të sezonit dhe llogaritë që të çojnë në kupat kontinentale e kanë shtyrë FSHF-në të sqarojë opinionin publik mbi procesin.
“Të gjitha të dhënat e kriterit financiar, që përfshijnë bilancin, pagesat e lojtarëve, detyrimet ndaj organeve tatimore dhe palëve të treta, klubet i hedhin vet ‘online’ në portalin e UEFA-s, ku Federata ka vetëm rol mbikëqyrës dhe asnjë mundësi ndërhyrjeje”, thuhet në komunikatë.
FSHF këmbëngul se licencimi është një proces me dy faza të ndryshme, një për kompeticionet europiane dhe një për ato vendase. UEFA ia delegon të drejtën e licencës Federatave anëtare dhe kontrollon mënyrën e dhënies së tyre, përmes “Club Financial Control Body” (CFCB).
Federata Shqiptare këmbëngul gjithashtu se UEFA nuk i ka hequr asnjë moment, asnjë autorizim për licencimin federatës, e cila nuk humbet asnjë të ardhur nga ato që përfiton prej UEFA-s. Për sa i përket çështjes së klubit Tirana, pikët e zbritura ndaj bardhebluve janë bërë vetëm për shkak të problemeve me likujdimin e futbollistit Gjergji Muzaka, e jo për shkak të kritereve licencuese.
Top Channel